Fillimisht në vitin 2017 u ndanë 500 mijë euro për ndërtimin e fushave të tenisit në qytetin e Gjakovës. Më pas në vitin 2021 nga po e njëjta Ministri ajo e Kulturës, Rinisë dhe Sportit u nënshkrua memorandum bashkëpunimi për mbështejtje financiare në vlerë prej 250 mijë euro për ndërtimin e këtij kompleksi në Shkugëz, projekt ky që do të duhej të fillonte implementimin brenda vitit të kaluar.
E këto fusha janë pjesë edhe e buxhetit të qeverisë Kurti 2, që ka paraparë 200 mijë euro për këtë projekt. Po kalojnë më shumë se 6 vite dhe ende këto terene sportive nuk janë finalizuar.
Qyteti i Gjakovës ka mbetur pa fusha të tenisit, ani pse me sportin e tenisit merren 3 klube të suksesshme. Këto klube kanë gjetur fusha alternative për stërvitje. Klubi “Sporek” që ka 10 vite që është themeluar, aktualisht sportin e bardhë e praktikon në sallën e edukatës fizike të gjimnazit “Hajdar Dushi”.
Ndonëse kushtet janë të mira, fushat adekuate do të rrisin edhe më tepër potencialin e talentëve të rinjë thotë Erion Xharavina nga ky klub.
Klubi i tenisit “Gjakova” po ashtu shfrytëzon dy salla alternative për aktivitete. Sipas trajnerit Astrit Xërxa këto fusha janë premtuar që kur është themeluar ky klub 5 vite më parë.
Xërxa shprehet që për përgatitje shpesh shkojnë edhe në qytetin e Pejës.
Të njëjtin hall e kanë edhe në klubin “Hot Shot”.
Art Baruti thotë se tenisi në Gjakovë aktualisht po tregon rezultate të mira dhe se institucionet ia kanë borxh këtyre talenteve ndërtimin e fushave në mënyrë që këta kampionë të arrijnë potencialin maksimal.
Për të kuptuar se kur do të realizohet ky projekt njëherë e përgjithmonë, kemi kontaktuar me Drejtorinë për Kulturë Rini e Sport në Komunën e Gjakovës.
Nga ky dikaster na është thënë të drejtohemi tek zyra e informimit për të marrë përgjigje. Ne e kemi bërë pikërisht këtë dhe jemi në pritje të kthimit të emailit zyrtar.
Deri atëherë gjithë këta talent do të vazhdojnë dedikimin e tyre plot pasion për tenisin duke i sjellë Gjakovës shumë cmime që pa dyshim do të kishin më shumë kuptim nëse do u jepej hapësira dhe vëmendja e merituar.