Gërvalla: Përfaqësues të disa shteteve janë të befasuar se sa të pranishme janë institucionet e sigurisë në veri

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz tha se institucionet e sigurisë janë dukë bërë punë të mirë në veri të vendit, për çfarë shtoi se me punën e tyre janë befasuar edhe të tjerët që kanë vizituar atë pjesë.

Në takimin e Këshillit për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut, ajo tha se përfaqësuesit e disa shteteve që kanë vizituar Kosovën janë shprehur të habitur se sa të pranishme janë institucionet e sigurisë në veri.

“Dua ta ndaj me ju një përshtypje që ma kanë shfaqur shumë përfaqësues të shteteve të ndryshme që kanë vizituar Kosovën edhe veriun gjatë muajve të fundit, e të cilët kanë shprehur një farë habie se sa, jo vetëm të pranishme por edhe sa të pranueshme janë institucionet tona të sigurisë në veri. Pritjet e tyre kur vinë në Kosovë janë që kanë një refuzim, që qytetarët serbë të Kosovës e shohin praninë e institucioneve tona si të sigurisë dhe të drejtësisë si të pa dëshirueshme, ndërsa eksperienca që kanë këtë njerëz që kanë më veri është krejt e kundërta e asaj. Pa dashur që të jem naive dhe të neglizhojë problemet e shumta që kemi. Por ka edhe një ndryshim edhe në perceptimin e qytetarëve edhe transmetimin e përshtypjeve të tyre sidomos pas 24 shtatorit”, tha Gërvalla.

Mes tjerash, ajo tha se nevojitet një koalicion mbarëshoqëror për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave.

“Dua të jem shumë transparente, na nevojitet një koalicion mbarë shoqëror për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave”, shtoi ajo. /KosovaPress/

Read Previous

​Sveçla: Në veri dje është rrezikuar jeta e një zyrtari policor

Read Next

Kurti: Jemi përballur me sfida të reja, e me pasoja nga ato të vjetrat