Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, është takuar me Ministren e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Mélanie Joly, me të cilën ka diskutuar për realizimin e bashkëpunimeve konkrete në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, ekonomisë dhe arsimit, në kuadër të Konferencës për Dimensionin Njerëzor të Paqes për Ukrainën në Montreal.
“Partneriteti ynë me Kanadanë po bëhet gjithnjë e më i fuqishëm!”, shkroi Gërvalla në Facebook.
Më 31 tetor, Gërvalla, udhëtoi për në Kanada, ku ishte njoftuar se do të marrë pjesë në një konferencë kushtuar Ukrainës.
Nga MPJD ishte vlerësuar se përmes kësaj pjesëmarrje po dëshmohet përkushtimi dhe mbështetja e një paqeje të qëndrueshme, solidariteti e Kosovës me popullin ukrainas, mbështetjen përmes programeve që po implementojmë si dhe përkushtimin për paqe, siguri dhe stabilitet.
Gërvalla të enjten e përfaqësoi Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara ku u shqyrtua raporti i ri gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për punën e UNMIK-ut në Kosovë./Albanianpost.com