Gërvalla darkon me përfaqësuesit e shteteve të rajonit në NATO

Gërvalla në NATO ka ritheksuar përkushtimin dhe progresin e arritur në shumë fusha dhe angazhimin e palëkundur të Republikës së Kosovës për të ardhmen euroatlantike si dhe avancimin sa më të shpejtë të anëtarësimit tonë në NATO.

Vizitën në selinë e NATO-s, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla e përmbylli me një takim të posaçëm në një darkë pune me të gjithë Përfaqësuesit e Përhershëm të shteteve të rajonit, anëtarë të NATO-s,  të Kroacisë, ambasadorin Mario Nobilo, të Turqisë, ambasadorin Zeki Levent Gumrukcu, të Sllovenisë, ambasadorin Andrej Benedejcic, të Bullgarisë, ambasadorin Nikolay Milkov, të Shqipërisë, ambasadorin Ilir Gjoni, të Maqedonisë së Veriut, ambasadorin Dane Taleski, të Greqisë, ambasadorin Ioannis Miltiadis Nicolaidis, dhe të Malit të Zi, u.d Maja Djurdjic.

“Gjatë këtij takimi ku u rikonfirmua mbështetja për Kosovën, Ministrja Gërvalla shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e pa rezervë të gjithë Përfaqësuesve të Përhershëm të shteteve të rajonit në NATO për Kosovën në rrugën e saj euroatlantike”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Gërvalla ka ritheksuar përkushtimin dhe progresin e arritur në shumë fusha dhe angazhimin e palëkundur të Republikës së Kosovës për të ardhmen euroatlantike si dhe avancimin sa më të shpejtë të anëtarësimit tonë në NATO.

“Republika e Kosovës është dëshmuar në vazhdimësi si një partner i besueshëm dhe i rreshtuar krah aleatëve dhe partnerëve në NATO dhe Bashkimin Evropian, për paqen dhe sigurinë në rajon dhe Evropë”, ka theksuar Gërvalla.

Ministrja Gërvalla tutje ka informuar përfaqësuesit e pranishëm rreth obstruksioneve, sulmeve dhe kërcënimeve të vazhdueshme të Serbisë kundër Kosovës, por edhe kundër paqes dhe stabilitetit në rajon dhe Evropë.

Në këtë takim të përbashkët Ministrja Gërvalla shoqërohej nga Përfaqësuesi i Republikës se Kosovës për marrëdhëniet me NATO, ambasadori  Astrit Zemaj  dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Belgjikë, Luksemburg dhe Bashkimin Evropian, Agron Bajrami. /RTK/

Read Previous

Ende nuk vendosen shenjat që e ndalojnë qarkullimin njëkahor në rrugën “Tahir Efendija”

Read Next

Inzaghi: Humbja na lëndon, e kishim në dorë kualifikimin