Gazeta gjermane, BILD: Serbia e kërcënon Kosovën me luftë

Mosmarrëveshja mbi targat midis Serbisë dhe Kosovës mund të shndërrohet në një konflikt të ri të armatosur midis aleatëve të Rusisë në Beograd dhe qeverisë së mbrojtur nga NATO në Prishtinë brenda pak orësh. Kështu e nis shkrimin për situatën në veri të Kosovës, gazeta e famshme gjermane, BILD, duke pyetur “A po shfaqet një luftë e re në Ballkan?”

Të dielën në mbrëmje, Serbia e vuri në gatishmëri pjesë të ushtrisë së saj.

Arsyeja e tensionit: Që nga mesi i shtatorit, vizitorëve serbë në kufi me Kosovën iu është dashur t’i ndërrojnë targat e tyre me targa të përkohshme kosovare në mënyrë që të shkojnë në Kosovë.

Qeveria në Prishtinë vendosi rregulloren për faktin se Serbia nga ana e saj nuk i njeh targat nga Kosova pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008.

Por serbët refuzojnë t’i ndërrojnë targat e tyre. Si rezultat, qeveria e Kosovës dërgoi një njësi speciale të policisë në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak një javë më parë për ta zbatuar rregulloren e targave.

Serbët e Kosovës po bllokojnë dy rrugët më të rëndësishme për në Mitrovicë, qytetin më të madh ku gjendet pakica serbe në Kosovë.

Asgjë për t’u shqetësuar, dikush mund të mendojë. Por në Beograd, i cili është armatosur shumë nga Moska, gjërat shihen ndryshe.

Ushtria serbe ka ditë që po lëviz tanket në kufi me Kosovën, duke folur për një “provokim” nga Kosova, ndaj të cilit ata thonë se do të reagojnë.

Në mbrëmje, presidenti serb Aleksandar Vuçiq njoftoi se vendi i tij do të “luftojë për popullin e vet”. “Nëse nuk luftojmë, nuk mund të arrijmë asgjë”, tha Vuçiq.

Kjo është arsyeja pse ai e thirri Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg personalisht dhe i dha aleancës ushtarake një ultimatum të dielën në mbrëmje për t’i dhënë fund “pogromit” kundër bashkatdhetarëve të tij në Kosovë.

Vuçiqi kërcënoi: “Ne do t’ju presim 24 orë për të parë se si reagon NATO nëse ka një pogrom kundër serbëve. Nëse pogromi vazhdon kundër popullit tonë, Serbia do të reagojë dhe nuk do ta lejojë atë.”

Ekspertët gjithashtu shohin një rol aktiv të Rusisë në konflikt. Kremlini nuk e njeh Kosovën si shtet dhe vazhdon ta shohë atë si pjesë të Serbisë. Eksperti rus Jakub Janda nga “Qendra Evropiane e Vlerave për Politikat e Sigurisë” në Pragë tha për BILD se nuk duhet harruar se “Serbia është një aleate e ngushtë e Rusisë. Jo vetëm ushtarakisht, por edhe ekonomikisht dhe nga identiteti i përbashkët i ndërtuar”.

Janda paralajmëron: “Ajo që ne po shohim aktualisht është një përshkallëzim kundër Kosovës, në të cilën Serbia dhe presidenti Vuçiq po rrisin aksionet e tyre politike. Kjo nuk do të ishte e mundur pa mburojën diplomatike dhe ushtarake të Rusisë. Rusia dëshiron që Ballkani Perëndimor të destabilizohet, dhe unë shoh që Kremlini ndan përgjegjësinë për tensionet aktuale në Kosovë”./Reporteri.net

Read Previous

Eshtrat e viktimave të Masakrës së Rezallës do të riatdhesohen në Kosovë më 30 shtator

Read Next

Ministria e Bujqësisë ka një lajm për bujqit rreth subvencioneve