Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7 shpreh shqetësimin e thellë dhe kundërshtimin e vendosur ndaj vendimit të fundit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për rritjen e tarifave të energjisë elektrike për 16.1%, si dhe ndaj kalimit të detyrueshëm të bizneseve të mëdha në tregun e liberalizuar të energjisë që nga 1 qershori 2025.
Kjo masë e papritur paraqet pasoja serioze për sektorin privat në tërësi, por veçanërisht për bizneset në pronësi të grave në Kosovë. Ajo vë në rrezik drejtpërdrejt funksionimin e qindra ndërmarrjeve me më shumë se 50 të punësuar, por gjithashtu ndikon fuqishëm edhe te ndërmarrjet mikro dhe të vogla (NVM), të cilat tashmë përballen me sfida të shumta strukturore në qasjen në financa dhe tregje.
Ndikimi ndaj Grave Ndërmarrëse dhe Punësimit
Gratë ndërmarrëse në Kosovë kanë dëshmuar rol kyç në zhvillimin e qëndrueshëm dhe përfshirës të vendit. Megjithatë, rritja drastike dhe e paplanifikuar e kostos së energjisë vendos mbi to një barrë të papërballueshme. Në sektorët ku konsumi i energjisë është i lartë si prodhimi ushqimor, tekstili dhe përpunimi, energjia përbën një përqindje të konsiderueshme të kostove operative.
Rritja prej deri në 30% e shpenzimeve energjetike do ta bëjë të pamundur mbijetesën e shumë prej këtyre bizneseve.
Nëse kjo prirje vazhdon, Kosova rrezikon një rritje të ndjeshme të papunësisë posaqerishte tek gratë, duke zhbërë përparimet e arritura me mund në fuqizimin ekonomik të grave.
Sipas vlerësimeve të G7, deri në 40% e grave të punësuara në sektorët me konsum të lartë të energjisë mund të humbin vendet e punës nëse ndërmarrjet e vogla dhe të mesme nuk mund të përballojnë kostot e shtuara operative. Shumë nga këto vende pune janë të pazëvendësueshme për familjet që mbështeten në një të ardhur të vetme.
Mbyllja e bizneseve të vogla dhe të mesme, të cilat përbëjnë mbi 90% të strukturës së ndërmarrjeve në Kosovë, do të ndikojë në uljen e kontributeve në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) dhe do të rrisë më tej presionin mbi sistemin e mirëqenies sociale.
Kjo do të çojë në dobësimin e zinxhirit të vlerës, tkurrjen e konsumit të brendshëm, uljen e kontributeve tatimore
dhe shtimin e presionit mbi skemat sociale të shtetit.
Thirrje për Veprim
Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7 kërkon nga Qeveria e Kosovës, Zyra e Rregullatorit për Energji dhe institucionet relevante që të ndërmarrin këto hapa të menjëhershëm:
1. Rishqyrtimin urgjent të vendimit për rritjen e tarifave të energjisë, duke marrë parasysh ndikimin disproporcional ndaj kategorive të ndjeshme të bizneseve, përfshirë ato në pronësi të grave.
2. Krijimin e një mekanizmi të mbështetjes emergjente për energjinë për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, për energjinë për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesmesi, për të parandaluar mbylljen e tyre dhe humbjen e vendeve të punës;
3. Përshpejtimin e investimeve në energji alternative dhe eficiencë energjetike të përshtatura për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, me qëllim uljen e varësisë nga importi dhe stabilizimin afatgjatë të tregut.
4. Përfshirjen e organizatave të grave në konsultimet për politikat energjetike, për të siguruar një qasje gjithëpërfshirëse dhe të ndjeshme gjinore në vendimmarrje.
Ky është një moment kritik që do të përcaktojë drejtimin ekonomik të Kosovës për vitet në vijim. Politikat publike duhet të jenë të drejta, gjithëpërfshirëse dhe të bazuara në realitetin e bizneseve vendore. Sektori privat veçanërisht ndërmarrjet në pronësi të grave nuk duhet të vazhdojnë të mbajnë barrën e padrejtë të vendimeve që rrezikojnë stabilitetin ekonomik, rrisin pabarazitë dhe cenojnë kohezionin shoqëror. Është koha për vendimmarrje të përgjegjshme që mbështet rritjen e barabartë dhe qëndrueshmërinë ekonomike për të gjithë.
Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7 mbetet e përkushtuar të bashkëpunojë me institucionet e Republikes se Kosoves për të identifikuar zgjidhje të qëndrueshme që ruajnë bizneset, forcojnë konkurrueshmërinë dhe mbrojnë punësimin e grave.