Liderët e Grupit të Shtatë vendeve më të industrializuara (G7) janë mbledhur këtë të diel në vendpushimin malor të Kananaskis në Malet Shkëmbore të Kanadasë, në një samit që shënohet nga tensione të theksuara me Shtetet e Bashkuara dhe sfida të mëdha ndërkombëtare, shkruan Gazeta Sinjali.
Kryeministri kanadez Mark Carney ka theksuar se prioritetet e samitit përfshijnë forcimin e paqes dhe sigurisë, zhvillimin e zinxhirëve kritikë të furnizimit me minerale, dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Megjithatë, konfliktet në Lindjen e Mesme, lufta në Ukrainë dhe tensionet tregtare me SHBA-në pritet të dominojnë axhendën.
Situata është veçanërisht e ndjeshme pas sulmeve të fundit të Izraelit ndaj objektivave në Iran, të cilat shihen si pengesë për përpjekjet diplomatike të presidentit amerikan Donald Trump për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm në rajon.
Në sfond qëndron edhe kujtesa e samitit të vitit 2018, kur Trump e quajti kryeministrin kanadez Justin Trudeau “të pandershëm dhe të dobët” dhe urdhëroi tërheqjen e SHBA-së nga komunikata përfundimtare. Profesori Roland Paris nga Universiteti i Otavës e përmblodhi pritshmërinë me ironi:
“Ky do të jetë një takim i suksesshëm nëse Donald Trump nuk ka një shpërthim që e shkatërron të gjithë”.
Në samit marrin pjesë edhe udhëheqës nga Ukraina, India, Koreja e Jugut, Brazili, Afrika e Jugut, Australia dhe Meksika, të cilët pritet të zhvillojnë diskutime të rëndësishme me Trumpin për një sërë çështjesh globale.
G7 përfshin: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Francën, Gjermaninë, Japoninë, Mbretërinë e Bashkuar, Italinë, Kanadanë dhe po ashtu Bashkimin Evropian.