Frattesi: Çmimi i kërkuar i Inter-it e bën të pamundur largimin në janar

Mesfushori i Inter-it, Davide Frattesi është i irrituar për mungesën e kohës së lojës dhe duket i gatshëm të largohet nga klubi, por investimi i madh i zikaltërve në të vetëm një vit e gjysmë më parë mund ta komplikojë largimin e tij në një afat të shkurtër.

Sipas raporteve të fundit, italiani po ankohet për mundësitë e pakta që trajneri Simone Inzaghi i ka dhënë atij që nga ardhja e tij në verën e vitit 2023, veçanërisht këtë sezon, kur ish-lojtari i Sassuolo-s filloi vetëm katër nga 17 ndeshjet e skuadrës së tij në Serie A.

Shanset e tij për të luajtur pengohen nga prania e Henrikh Mkhitaryan-it dhe Nicolo Barella-s, të cilët janë titullarët e padiskutueshëm të Inter-it.

Frustrimi i 25-vjeçarit u rrit deri në atë pikë sa ai thuhet se po kërkon një largim, me ish-skuadrën e tij Roma-n mes klubeve të interesuara.

Megjithatë, “Calciomercato.com” thekson se zikaltërit shpenzuan 33 milionë euro, duke përjashtuar bonuset, për të nënshkruar me Frattesi-n nga Sassuolo në vitin 2023. Kjo shifër tani i detyron ata të vendosin një çmim veçanërisht të lartë për italianin, që Roma nuk ka gjasa ta paguajë, të paktën në janar.

Gazetari italian, Gianluca di Marzio raportoi se zikaltërit kërkojnë të paktën 45 milionë euro për të shitur mesfushorin dhe kjo është arsyeja pse Roma mund të konsiderojë hapjen e bisedimeve vetëm verën e ardhshme, veçanërisht në rast se ata vendosin të ndahen me Lorenzo Pellegrini-n.

Një ofertë fitimprurëse nga klubet e tjera është ngjarja e vetme që mund të ndryshojë një skenar të tillë, por Tottenham-i, për të cilin kohët e fundit u tha se ishte gjithashtu i interesuar për lojtarin, nuk ka bërë ende ndonjë qasje zyrtare. /Albanianpost.com

Read Previous

5 deri në 10 minuta, pritjet për hyrje e dalje në pikat kufitare të Kosovës

Read Next

Kush është njeriu që mund të udhëheqë Kanadanë si kryeministër i ardhshëm?