Ministria e Punëve të Jashtme e Francës e ka mirëpritur marrëveshjen e lëvizjes së lirë të arritur nga Serbia dhe Kosova më 27 gusht, pjesë e një dialogu të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në konsultim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Franca inkurajon palët që të normalizojnë plotësisht marrëdhëniet në të njëjtën frymë kompromisi”, thuhet në njoftimin e MPJ-së së Francës .
Edhe Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet e identifikimit, tha për shërbimin serb të Zërit të Amerikës një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të hënën.
Sipas tij, Shtetet e Bashkuara “e shohin marrëveshjen si një hap të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve, të bazuar në njohjen reciproke”.
“Arritja e zgjidhjes përmes dialogut është kritike për të dyja vendet në rrugën e tyre drejt integrimit evropian”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit.
Ndryshe të shtunën, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, i cili bëri të ditur arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dokumenteve hyrëse-dalëse, thotë se është lumturuar që është gjetur një një zgjidhje evropiane që lehtëson udhëtimin mes Kosovës dhe Serbisë.
Borrell përmes një video në Twitter falënderoi Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç për udhëheqjen në dialog.
Çfarë marrëveshje u arrit?
Në fakt, nuk është arritur një marrëveshje e re, thjesht ka zotim se tash e tutje do të respektohet marrëveshja e vitit 2011 për Lëvizje të Lirë e cila parashihte që qytetarët e dy vendeve do lëvizin nga njëri shtet në tjetrin vetëm më karta identiteti.
Problemi ishte se Serbia nuk e aplikonte ashtu si ishte arritur marrëveshja dhe u lëshonte kosovarëve edhe nga një letër të bardhë për hyrje/dalje. Kosova nuk e bënte të njëjtën. Siç ishte shpjegimi atëherë, shteti i Kosovës kishte refuzuar të bëjë për shkak të mos detyrimit të shqiptarëve të Luginës për një letër të tillë.
Por, ka shumë mundësi që nuk bëhej edhe për shkak të rebelimit që do të mund të ndodhte nga ana e serbëve të Kosovës.
Kryeministri aktual, Albin Kurti, vendosi që ta vë në funksion këtë letër të bardhë, nëse Serbia vazhdon me të njëjtën. Marrëveshja tash është që Serbia do të heq dorë nga ajo letër dhe Kosova s’do të ketë nevojë ta impelemntojë fare.
Po me targat?
Me targat nuk është arritur ndonjë marrëveshje akoma. Atyre do të vazhdohet t’u vendosen ngjitës në vendet ku janë emblemat e shtetit dhe shkronjat dalluese të republikave.
Përse në Kosovë po festohet nga qeveria si fitore? Sepse po nënkuptohet si detyrim i Serbisë për të hequr dorë nga ajo letra e bardhë që e kishte implementuar një anshëm. /Albanianpost.com