Franca do ta rrisë me 30% buxhetin për mbrojtjen, shkon në 400 miliardë euro

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka deklaruar se ka në plan të rrisë buxhetin e shtetit të tij për mbrojtjen me 30%, në periudhën 2024-2030, duke parashikuar kështu një plan prej 400 miliardë eurosh të vënë në zbatim.

E gjitha, një ditë pas protestave masive në Paris, kundër rritjes me dy vjet të moshës së pensionimit, ku mbi 1 milion qytetarë vërshuan në rrugë për të kritikuar vendimin e kreut të shtetit të tyre.

Franca është ndër ato vende të Evropës, e cila kontribuon aktivisht në NATO me resurse të mëdha monetare për mbrojtjen, ashtu si edhe me armatime ushtarake të lehta e të rënda.

Por, me luftën në Ukrainë eminente dhe me projeksionin e një situate që nuk po shkon drejt qetësimit, shtuar këtu edhe frikën ndaj vendimeve të mëvonshme të Rusisë për përshkallëzim, Macron ka marrë vendimin e rëndësishëm të rritjes së buxhetit.

Mbi këtë gjë, ai gjithsesi duhet të kalojë miratimin e Parlamentit për këtë, ku nuk e ka shumicën e nevojshme për ta aprovuar i vetëm.

Ndaj, forcave të tjera politike dhe aleatëve, do t’u kërkohet ndihmë në këtë aspekt, me qëllim kalimin sa më të shpejtë të paketës, duke mos e ndërlikuar më tej situatën. 

/Albanianpost.com/

Read Previous

Biserko: Serbia është burim konstant i destabilitetit, po armatoset vazhdimisht

Read Next

Alphabet, kompania amë e Google-it shkurton 12 mijë vende pune