Katër persona janë arrestuar dhe janë nën hetime në Francë pas fundosjes të një varke me emigrantë në Kanalin që e lidh me Britaninë e Madhe.
Nga kjo fundosje kanë vdekur gjashtë burra që ishin në bordin e anijes që u gjend në vështirësi pranë qytetit Calais të shtunën.
Më shumë se 50 persona të tjerë u shpëtuan nga rojet bregdetare franceze dhe britanike.
Gjykatësit francezë thuhet se po shqyrtojnë akuzat duke përfshirë vrasjen e pavullnetshme kundër të dyshuarve irakianë dhe sudanezë.
Të paktën dy nga të arrestuarit mendohet se kanë lidhje me rrjetet e trafikimit të qenieve njerëzore, sipas mediave franceze.
Personat në bord u raportua se ishin kryesisht afganë dhe disa sudanezë.
Punonjësit e shpëtimit të shtunën thanë se ishte hera e shtatë atë javë që ata kishin tërhequr njerëz nga uji, duke ngritur shqetësimin se kontrabandistët që organizonin kalimin mund të përdorin një grup varkash me defekt.
Kanali anglez është një nga korsitë më të ngarkuara të transportit detar në botë, me 600 cisterna dhe 200 tragete që kalojnë nëpër të çdo ditë.
Pavarësisht kësaj, shumë njerëz janë të gatshëm të marrin rrezikun. Shifrat e publikuara të enjten tregojnë se më shumë se 17,000 emigrantë kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar deri më tani këtë vit pasi kanë kaluar Kanalin.
/klankosova/