“Foo Fighters” po shënojnë suksese të mira me albumin e ri “Medicine at Midnight”

Grupi “Foo Fighters” është pozicionuar në vendin e parë të toplistës “Billboard” të albumeve më të shitura, derisa incizimi i tyre i ri me titull “Medicine at Midnight” debutoi në maje të kësaj liste.

Albumi i dhjetë i grupit i incizuar në studio, arriti të shitet në 64 mijë kopje brenda një jave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bendi i suksesshëm i muzikës, në të kaluarën e kishte arritur suksesin e ngjashëm me albumin e vitit 2017, “Concrete and Gold” dhe atë të vitit 2011, “Wasting Light”.

Me këtë projekt, “Foo Fighters” po ashtu ka arritur të pozicionohet në vendin e parë të toplistës së albumeve më të mirë në Australi.

Kështu, “Medicine at Midnight” bëhet albumi i shtatë i grupit që pozicionohet në maje të toplistës “ARIA Albums Chart”, duke u barazuar me yjet e tillë si, “U2” dhe Taylor Swift. Vetëm Eminemi ka arritur të ketë më shumë albume të pozicionuara në vendin e parë të kësaj liste, me nëntë sosh.

Të njëjtin sukses bendi e arriti edhe në toplistat e albumeve më të shitura në Britani të Madhe, duke u pozicionuar në vendin e parë.

në vendin e dytë të toplistës së albumeve më të shitura “Billboard”, këtë javë gjendet këngëtari i muzikës country, Morgan Ëallen, me albumin e tij të ri “Dangerous: The Double Album”. Ky incizim rrëshqiti për një pozitë pavarësisht se shënoi shitje të kënaqshme, me 37 mijë kopje të shitura brenda javës. Momentalisht ky këngëtar është duke u përballur me kritika të shumta nga publiku, kjo pas qarkullimit online të një videoje ku ai shihet në shoqërinë e një femre e cila nuk është gruaja e tij, dhe ku Wallen dëgjohet duke përdorur fjalë raciste ndaj komunitetit afrikano-amerikan. Pas kësaj ngjarjeje, këngëtari e ka publikuar në rrjetet sociale në video pesë minutash, ku kërkon falje publike për këtë veprim, që tashmë ka filluar t’i kushtojë në karrierën muzikore. Ai është larguar nga disa toplista dhe platforma të njohura muzikore, si Apple Music dhe Spotify, kontrata e tij me studion incizuese “Big Loud Records” është pezulluar përkohësisht, dhe radiostacione të shumta kanë ndaluar të transmetuari këngët e tij.

Në top pesëshen e kësaj liste përfshihen edhe yjet, The Weeknd me albumin e ri “The Highlights” i cili i përfshinë disa prej hiteve më të mira të këngëtarit kanadez, grupi tashmë i shpërbërë “One Direction” shënon rikthim në pozitën e 5-të me albumin e vitit 2012 “Up All Night”, Taylor Swift me albumin e fundit “Evermore” dhe Ariana Grande me albumin e saj mjaft të suksesshëm, “Positions”./EkonomiaOnline

Read Previous

5 mënyra për të qenë të motivuar gjatë rrugës drejt suksesit

Read Next

Dëgjim publik për menaxhimin e mbeturinave