Bajqinovci: Nëse ka vullnet opozita, sot mund të zgjidhet presidenti
Shqipëria është mes katër vendeve kandidate më të avancuara që qëndrojnë në qendër të strategjisë së re të Bashkimit Evropian për zgjerimin, e cila parashikon edhe mundësinë që anëtarët e ardhshëm të hyjnë në bllok me disa kufizime të përkohshme.
Komisioni Evropian prezanton më 6 tetor strategjinë e shumëpritur për përgatitjen e BE-së për zgjerimin. Dokumenti pritet të diskutohet për herë të parë nga udhëheqësit evropianë në samitin e 15-16 tetorit.
Edhe pse vendet nuk përmenden shprehimisht në këtë pjesë të dokumentit, strategjia është hartuar duke pasur parasysh katër kandidatët që konsiderohen në krye të procesit: Shqipërinë, Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën.
Një prej ndryshimeve më të rëndësishme të propozuara lidhet me të drejtën e vetos.
Sipas dokumentit, shtetet e reja anëtare mund të angazhohen, për një periudhë të kufizuar, që të mos kundërshtojnë vendimet e Këshillit që kërkojnë unanimitet.
Kjo do të nënkuptonte se një vend i sapo-anëtarësuar nuk do të mund të përdorte veton, për shembull, për çështje të caktuara të politikës së jashtme. Periudha mund të shkojë deri në 15 vjet.
Kufizimi mund të shtrihej edhe te vendimet që lidhen me zgjerimet e ardhshme, me synimin që anëtarët e rinj të mos bllokojnë kandidatë të tjerë për shkak të mosmarrëveshjeve dypalëshe.
Garanci deri në 10 vjet
Një tjetër propozim parashikon zgjatjen e mekanizmave mbrojtës që zbatohen pas anëtarësimit.
Këto masa, që zakonisht zbatohen për tre vjet në fusha si ekonomia, tregu i brendshëm dhe çështjet e brendshme, mund të zgjasin deri në 10 vjet për anëtarët e rinj.
Ato mund të kufizojnë përkohësisht pjesëmarrjen e plotë në fusha të caktuara ose të mundësojnë pezullimin e disa përfitimeve në rast të regresit politik.
Komisioni propozon gjithashtu një mekanizëm të ri institucional për rastet e shkeljeve veçanërisht serioze të vlerave të përbashkëta të BE-së.
Sipas këtij propozimi, një shteti të ri mund t’i pezullohen përkohësisht të drejta që burojnë nga anëtarësimi, përfshirë të drejtën e votës në Këshill.
Vendimi mund të merret me shumicë të cilësuar dhe jo me unanimitet, duke e bërë mekanizmin më të lehtë për t’u aktivizuar.
Strategjia argumenton se zgjerimi nuk ka të bëjë vetëm me përgatitjen e vendeve kandidate për anëtarësim, por edhe me përgatitjen e vetë Bashkimit Evropian për të funksionuar me më shumë vende anëtare. /Albanianpost.com