Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas deklarimeve për tërheqjen e Bekim Sejdiut nga gara për president të Kosovës.
Murati ka kritikuar mediat që, sipas tij, nxituan të raportojnë për tërheqjen e Sejdiut, në vend që të prisnin përgjigjen e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ndaj ofertës së re të kryeministrit Albin Kurti.
Kurti ka propozuar që gjysma e grupit parlamentar të PDK-së të votojë për zgjedhjen e presidentit, ndërsa në këmbim deputetët e Vetëvendosjes do ta mbështesin Projektligjin për Dhomat e Specializuara në lexim të dytë.
“Disa medie u nxituan që ta rikonfirmojnë tërheqjen e Prof. Bekim Sejdiut për President të Republikës në vend se ta marrin përgjigjen nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, për ofertën e re të Kryeministrit Kurti”, ka shkruar Murati.
Ai ka kërkuar nga gazetarët që fillimisht ta pyesin Hamzën për ofertën e Kurtit.
“Le të thotë Bedri Hamza PO, dhe sigurisht që me Prof. Bekim Sejdiun mund të shkojnë e flasin Kurti e Abdixhiku për ta bindur që të mos shkojë vendi në zgjedhje të reja”, ka thënë Murati. /RTKlive