Në Gjermani po mbahet Kampionati Evropian ku bëjnë pjesë yjet e futbollit botëror me kombëtaret përkatëse, të gatshëm të vendosin gjurmët e tyre për t’u gdhendur në historinë e sportitit më të popullarizuar në glob.
Rrugëtimi i Kombëtares sonë do të fillonte në grupin e “vdekjes”, ku shorti vendosi që Kombëtarja e cila po zhvillonte vetëm pjesëmarrjen e dytë në këtë kompeticion do të përballej me emra si, Kroacia, Italia dhe Spanja.
Në momentin që shorti japi verdiktin e tij shpresat për kalimin tutje filluan të ndërronin ngjyrën dhe zbehja e tyre tashmë ishte evidente, e bukura e këtij sporti fillon dhe mbaron me karakterin, me vetëmohimin i cili arrin deri në sakrificë dhe kush më mirë se kuqëzinjtë tanë i shfaq këto vlera si “një” për t’i përdorur si mburojë.
Ndeshja e parë vendoste përball kampionët në fuqi të këtij kompeticoni, Italinë, por realiteti ishte që ndeshja e parë do të vendoste Italinë përball 50.000 kuqezinjve të cilët mbushen shkallët e Signal Iduna Park dhe përshtypja krijohej që ndeshja ishte në Tiranë kur stadiumit filluan tiI tundeshin temelet nga brohoritja e Tifozave Kuq e Zi.
Gjyqtari i sfidës gjermani Felix Zwayer, vendosi të fillonte sfidën por rifillimi i saj do të ndodhte vetëm 23 sekonda pas vërshëllimes së parë, pasi që djali nga Tetova Nedim Bajrami vendosi të shkruante historinë, të shënonte golin më të shpejtë në historinë e këtij kompeticioni dhe t’a dërgonte Shqipërinë në epërsi ndaj kampionit aktual. Ndeshja filloi të merrte kahje tjetër, pas shënimit të golit të barazimit nga Italia, gol i cili i hapi rrugë dhe të dytit, për të vendosur historinë e kësaj sfide që do të mbyllej në favor të italianëve me rezultat 2-1.
Pas çdo disfate gishti fillon të vendoset te individët duke harruar që kombëtarja përball kishte hiq më pak se 4 herë kampionët e botës dhe kampionët aktual të europianit Italinë.
Ndeshja e radhës ishte përball gjeneratës më të mirë te Kroacisë ndonjeherë, përball një kombëtare e cila në Botërorin e 2018-tës shkonte deri në finale dhe Botërorin e fundit (Qatar 2022) humbte vetëm në gjysëmfinale nga Argjentina e cila pastaj dhe shpallej kampione e botës.
Kroacia e cila vinte pas disfatës me Spanjën kërkonte këndelljen në lojën me Shqipërinë, Shqipëria që tashmë sipas analistëve ishte jasht garës por në fushë djemtë tanë kishin edhe 90 minuta për ti treguar botës që nuk kishin ardhur për turizëm. Loja filloi me disa ndryshime në formacion nga trajneri Sylvinho, që vendosi t’i besonte Qazim Laçit në mesfushë besim i cili do të shpërblehej pasi që Laçi do të realizonte në minutën e 11-të për epërsinë tonë, edhe një herë tjetër në epërsi edhe një herë tjetër kundër secilës pritshmëri.
Gjithçka po shkonte sipas planit deri kur Kroacia shënonte golin e barazimit dhe imazhet e ndeshjes ndaj Italisë vinin si një rrufe në qiell të hapur pas autogolit të Klaus Gjasulës që i dhuronte kroatëve epërsinë mbrenda 3 minutave.
Dukej si një Déjà vu, fytyrat e lojtarëve që tregonin dëshpërimin, Sylvinho që tentonte të ngrinte moralin, tifozët që po përjetonin një shok duke ngritur paralele me atë se çfarë përjetuan ndeshjen e parë. Minutat kalonin dhe gjithçka po i afrohej fundit me idenë që kaq ishte dhe rrugëtimi i Shqipërisë.
Në minutën e 95-të kur pritej vërshëllima për përfundimin e ndeshjes, Klaus Gjasula vendosi të merrte në dorë epilogun e sfidës dhe të shkruante vet fundin ku me një goditje brenda zonës ndryshonte fatin e sfidës për të barazuar rezultatin në 2-2, rezultat i cili nuk do ndryshonte deri në fund.
Nga grupi ku cilësoheshim të “vdekur” jemi më të gjallë se kurrë, ku në sfidën e fundit ndaj Spanjës luajmë shanset tona për kualifikimin. Kjo është bukuria e këtij sporti, ku dëshira dhe pasioni ndaj fanellës gërshëtohen për t’a ngritur cilësinë, për ti treguar skeptikëve që limitet e kësaj skuadre i cakton vetëm ky grup i lojtarëve.
Shkrimi i historisë në Gjermani po ndodh nga shqiptarët, nga goli më i shpejtë në këtë kampionat deri tek goli më i vonshëm i barazimit dhe tifozët që kanë veshur kuq e zi në çdo stadium që kanë shkelur.
Në ndeshjen me Spanjën, kemi nevojë dhe për një sforco të fundit, për t’i treguar botës që kemi dhe disa faqe për t’i shkruar para që ta përmbyllim këtë kapitull. /E.B/tvsyrivision/