Finalja e sezonit në Superligë

Sot (e diel) zhvillohet xhiroja e fundit e sezonit 2024/25 në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll, me të gjitha ndeshjet që nisin në orën 16:00 për të garantuar barazi dhe emocion deri në fund të kampionatit, shkruan Gazeta Sinjali.

Drita, tashmë kampione e shpallur, do të përballet në Gjilan me Feronikelin ’74, ku pas ndeshjes do të pranojë edhe trofeun e titullit të kampionit para tifozëve të saj.

Megjithatë, lufta për mbijetesë dhe pjesëmarrje në Evropë mbetet e hapur dhe shumë e tensionuar.

Në Podujevë, Llapi do të përballet me Dukagjinin, ku vetëm fitorja do t’u siguronte vendasve mundësinë për të qëndruar në elitë përmes barazhit. Çdo rezultat tjetër, i kombinuar me një fitore të Suharekës ndaj Ballkanit, do të rrëzonte Llapin nga Superliga.

Në Prishtinë, skuadra vendase pret Malishevën, e cila ka nevojë vetëm për një pikë për ta siguruar pozitën e tretë dhe daljen në garat evropiane. Prishtina, në anën tjetër, do të synojë të mbyllë sezonin me një fitore para tifozëve.

Në Suharekë, Suhareka pret Ballkanin, me vetëm fitorja që i mban shpresat gjallë për mbijetesë, ndërsa në Ferizaj, skuadra vendase pret Gjilanin në një duel pa presion, pasi të dyja skuadrat janë jashtë rrezikut.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Ishulli, ku gjendej burgu famëkeq, i shndërruar në parajsë natyrore

Read Next

Zelensky: Heshtja e Amerikës vetëm sa e inkurajon Putinin