Ndërkohë që kanë filluar kualifikueset e Botërorit 2026, për sa i përket kontinenteve amerikane, aziatike dhe oqeanike, FIFA së shpejti do të vendosë se cilat do të jenë vendet pritëse për kampionatet e 2030 dhe 2034.
Detajet më të fundit për procesin e përzgjedhjes jep i njëjti organ i futbollit botëror, i cili ka komunikuar zyrtarisht se vendet e dy Kupave të Botës do të vendosen nga Kongresi i Jashtëzakonshëm i FIFA-s, i thirrur më 11 dhjetor 2024.
Ky akt i fundit, duke përjashtuar surprizat e bujshme, do t’i japë dritën jeshile përfundimtare Spanjës, Portugalisë dhe Marokut (me disa ndeshje në Argjentinë, Uruguaj dhe Paraguaj) për edicionin 2030 dhe Arabisë Saudite për vitin 2034.
Në fakt, këto janë të vetmet nominime për edicionet përkatëse, ndërsa edicioni i vitit 2026 do të mbahet, siç dihet, mes Shteteve të Bashkuara, Meksikës dhe Kanadasë.
Kupa e Botës 2030 do të zhvillohet në tre kontinente
Maroku, Spanja dhe Portugalia do të presin Kupën e Botës 2030, por tre ndeshjet hapëse të turneut do të luhen në Uruguaj, Argjentinë dhe Paraguaj.
Një ofertë e Amerikës së Jugut ishte paraqitur për të pritur të gjithë turneun për të shënuar 100-vjetorin e Kupës së parë të Botës dhe vendimi i FIFA-s për t’i dhënë Uruguait, Argjentinës dhe Paraguajit ndeshjet hapëse do të jenë pjesë e 100-vjetorit të turneut.
Të gjashtë vendet do të kualifikohen automatikisht në turne dhe do të jetë Kupa e parë Botërore që do të mbahet në tre kontinente.
Arabia Saudite, kandidatura e vetme në garë për Kupën e Botës 2034
Sipas rregullave për caktimin e kampionatit botëror, asnjë konfederatë nuk mund të presë dy edicione brenda tetë viteve dhe duke qenë se edicioni i vitit 2026 do të luhet në Amerikën e Veriut (SHBA, Meksikë dhe Kanada) dhe edicioni 2030 në tre kontinente Evropa, Afrika dhe Amerika e Jugut, gjithçka po lëviz drejt lindjes.
Pasi hoqi dorë nga konkurrenca, së bashku me Greqinë dhe Egjiptin, për vitin 2030, Arabia Saudite, një protagoniste e madhe në botën e futbollit dhe sportit në përgjithësi vitet e fundit, thotë se është gati të presë eventin më të madh sportiv./Albanianpost.com