Nëse Ferrari që garon në Formula 1 zhgënjen në pistë, një tjetër Ferrari dominon e fiton. Është ajo që mori pjesë dhe triumfoi në garën 24-orëshë të Le Mansh, një nga garat klasike të automobilizimit.
Makina italiane e pilotuar nga Robert Kubica, Yifei Ye dhe Philip Hanson fitoi për të tretin vit me radhë në klasiken 24-orëshe të Le Mansh. Çka tregon për dominimin e “kokëkuqes” në një garë që nisi pasditen e së shtunës dhe përfundoi pasditen e ditës së diel.
Një fundjavë pozitive për Antonello Coletta, arkitektin e këtij suksesi për “kokëkuqen”, i përfolur se mund të kalojë në krye të Ferrari në Formula 1. Grupi që bën diferencën: Soliditet dhe performancë, një ritëm vdekjeprurës për kundërshtarët për të vazhduar, ditë e natë.
Një triumf që ishte shuplakë e rëndë për Porsche dhe Cadillac. Jo vetëm kaq, por u shkatërruan ëndrrat e lavdisë edhe për Toyota, BMW dhe Alpine. Kundërshtarët munden, Ferrari fiton e fiton sërish në Le Mansh. /Telesport.al/