Fermerë nga e gjithë Kosova po kundërshtojnë kriteret për subvencionimin e grurit. Për pakënaqësitë rreth këtyre kritereve, qindra fermerë të enjten protestuan para Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Me rreth 200 traktorë, fermerët bllokuan për më shumë se një orë rrugën para ministrisë.
Kërkesa e tyre ishte lehtësimi i procedurave për aplikim. Ata paralajmëruan protesta më radikale nëse nuk merret parasysh kërkesa e tyre.
Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri tha se ngritja e kritereve për dokumentacionet lidhur me subvencione dhe grande po e vështirësojnë punën e bujqve.
“Tash me ardhjen e ministrit të ri janë ashpërsuar tepër kriteret për të arrit bujqit me përfitu subvencionet edhe grandet. Ato kritere janë qe sivjet është planifiku me arrit drejtën për subvencion është edhe me rendiment ai qe arrin një sasi caktuar të rendimentit saktësisht është 6 mijë kilogram për 2 hektarë dhe ata grurë duhet me dorzu në mulli në qendra grumbulluese. Nuk jemi kundër kësaj mirëpo jemi kundër kritereve për të ardh deri të e drejta e atillë janë ashpërsuar kriteret për ne zgjedhjen e dokumentacionit kriteri vetëm në qendër grumbulluese dhe në mulli është i tepërt se shumë bujq kanë ferma dhe grurin e ndalin për veti, shumë bujq nuk e dorëzojnë grurin menjëherë se fillim po është çmimi shumë i ultë dhe me vonë po rritet në fillim ka qenë 18 cent kurse tash është 26 cent. Në ketë mënyrë çdo veprim që duhet ta bëj bujku po ndëshkohet edhe disa kritere tjera të cilat ne do të ulemi do ti bisedojmë me ministrin nëse na pranon nëse nuk na pranon protesta do të organizojmë prapë dhe protestat tjera do të jenë shumë me të ashpra dhe me radikale mund të dalin edhe jashtë kontrolle, sot ka qenë në kontrolle ,” ka thënë Tahiri.
Ndërsa, fermeri Elmi Qupeva tha se ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci duhet të kthejë procedurat e aplikimit në gjendjen e viteve të kaluar dhe të rriten subvencionet në gjitha fushat.
“Kemi ardh në mënyrë simbolike me tregu se jemi të pakënaqur rreth subvencionimeve kishim kërkuar prej ministrit me reflektuar. Të kthehen procedurat e aplikimit në gjendjen e viteve të kaluara, aplikimi të fillojë në shkurt dhe të mbaroj në fund të marsit, të rriten subvencionet në te gjitha fushat, të grandet te lehtësohen procedurat”, tha ai.
Fermeri Bajram Sedolli tha se nuk mund t’i përballojnë kriteret e Ministrisë së Bujqësisë,
“Kriteret i ka paraqit Ministria e Bujqësisë nuk mund ti përballojmë, nuk mund ti përballojmë për një arsye sepse tokat nuk janë te definuara. Ne fermerët e vogël duhet ta shuajmë, ashtu mendoj me këto kritere tash duhet ta shuaj këtë veprimtari mos të merrem me bujqësi se bujqësia është edhe e lodhshme edhe nuk ka përfitim. Këta nuk janë në gjendje ta vlerësojnë punën dhe djersën tonë që pa bujqësi nuk e di si mund të ekzistoj një shtet pa bukë,” deklaroi Sedolli
Derisa bujku, Xhafer Kosumi për KosovaPress tregoi detajet e vështirësive të tyre për aplikim për subvencione.
“Na edhe në protestat e fundit kemi kërkuar me fillu prej një hektar jo prej dy, se shumë po mesin pa i marrë. E kanë bo mijë kilogram për një hektar shumë pak është për 1 mijë kilogram 6 mijë as ata nuk e marrin gjysmën, kriteret duhet me ndryshu. Për një kontratë me e bo te noteri 30 euro, përpara e kemi bo veç dy persona me letërnjoftim tash duhet me paguar çdo kontrate 30 euro, 75 euro hektar çka po mbetet atu,” shtoi ai.
I menjëhershëm ishte reagimi i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit (MBPZhR). Përmes një komunikatë për medie nga MPBPZhR thonë se respektojnë të drejtën për protestë dhe se do t’i trajtojmë me kujdes kërkesat që i fermerët adresojnë.
“Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural respekton të drejtën për protestë të secilit fermerë dhe përfaqësuesve të tyre dhe po ashtu i pranon e trajton me kujdes kërkesat që i adresojnë ata ndaj programeve mbështetëse të Ministrisë. Duke pasur parasysh që kërkesat e fermerëve dhe përfaqësuesve të tyre adresohen çdo vit gjatë procedurave të hartimit të programeve mbështetëse, MBPZhR-ja bën shqyrtimin dhe më pastaj edhe inkorporimin e tyre në programet dhe politikat e saj, konform ligjeve dhe udhëzimeve administrative në fuqi. MBPZhR-ja gjatë hartimit të Programit të Pagesave Direkte –Subvencioneve për vitin 2021, i ka përfshirë në grupet punuese edhe përfaqësuesit e fermerëve të nënsektorit të grurit dhe nënsektorëve të tjerë. Gjatë këtij viti, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në programet dhe politikat bujqësore i ka adresuar vërejtjet dhe mangësitë e gjetura në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe po ashtu gjatë hartimit të tyre janë marrë parasysh edhe rrethanat e krijuara nga zhvillimet që kanë ndodhur në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, mangësi këto që janë shfaqur edhe gjatë viteve të kaluara”, thuhet në reagimin e ministrisë.
Tutje në komunikatë thuhet edhe se “Duhet theksuar se MBPZhR-ja, Programin e Pagesave Direkte -Subvencioneve për vitin 2021 e ka hartuar bazuar në Ligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe Udhëzimin Administrativ për Pagesa Direkte për vitin 2021, i cili paraprakisht i ka kaluar të gjitha proceset konsultative institucionale dhe me publikun. Pra, kriteret dhe të gjitha procedurat tjera në kuadër të këtij programi janë bazuar në ligjet dhe udhëzimet administrative në fuqi”.