Vuajtjet s’kanë të ndalur për Mejreme Kelmendin që 22 vjet. Asaj lufta ja mori bashkëshortin 46 vjeç dhe dy fëmijët 12 dhe 10 vjeç. Sikur të mos mjaftonte kjo, ajo 17 vjet i kaloi duke u endur shtëpi në shtëpi dhe akoma nuk ka një strehë të përhershme.
Më shqetësuese se kjo është gjendja e kësaj familje ku Mejreme Kelmendi banon bashkë me djalin, nusen dhe dy nipat e saj. I vetmi burim i të ardhurave është 200 euro të cilat nuk mjaftojnë as për nevojat elementare. Oborri është i mbuluar nga uji dhe banesa e vjetër vështirë ngrohet, lagështia e ka mbuluar këtë shtëpi dhe ushqimi nuk është i mjaftueshëm.
Lutja e vetme që ka zonja Kelmendi është ndihma për të birin, të cilit i humbi shikimi nga tmerri kur pa babain dhe dy vëllezërit duke ja masakaruar, faturat për shërimin e të birit kushtojnë shumë dhe mundësitë për t’i mbuluar janë të vogla.
Kjo kryefamiljare në këtë gjendje që është i bën thirrje komunës, shtetit dhe gjithë bamirësve që ta ndihmojnë, “nëse nuk kanë mundësi për një shtëpi të paktën djalin ta shikoj të shëruar”- shtoi ajo.