Gara që do të zhvillohet këtë fundjavë në Holandë do të jetë e 81-ta për dy pilotët e Ferrarit, Charles Leclerc dhe Carlos Sainz, si shokë skuadre. Që nga fillimi i bashkëpunimit në vitin 2021, Sainz ka arritur tri fitore, por ky sezon do të jetë i fundit për të me “kokëkuqen”, pasi do t’i lërë vendin Lewis Hamilton.
Marrëdhënia mes Leclerc dhe Sainz ka qenë gjithmonë korrekte, megjithatë nuk ka qenë pa momente tensioni. Charles e pranoi këtë hapur në podcastin F1 “Beyond the Grid”. Me fundin e sezonit, dyshja do të ndahet, dhe Leclerc pranon se do t’i mungojë Sainz: “Do të më mungojë Carlos si person. Ne shkojmë shumë mirë.”
“Fatkeqësisht, në këtë botë gjithçka analizohet dhe kritikohet tepër, por kemi pasur gjithmonë një marrëdhënie të mirë. Ne ndajmë shumë interesa dhe ka kujtime që do t’i mbaj me vete përgjithmonë,” tha Leclerc, duke pranuar se marrëdhënia e tyre ka kaluar nëpër faza të vështira.
“Me kokoren në kokë gjatë garës, ka pasur momente kur unë e urreja dhe ai më urrente, sepse nuk i shihnim gjërat njësoj. Por, më pas, gjërat mund të rregullohen duke folur,” shtoi monogasku i Ferrarit.
Në vitin 2025, Leclerc do të bashkohet me Hamilton dhe ka një ide të qartë për ndikimin që do të sjellë shtatë herë kampioni i botës në Maranello: “Do të ketë një ndikim jashtëzakonisht pozitiv. Një kampion si Lewis sjell shumë motivim për secilin anëtar të ekipit. Ky është efekti i parë pozitiv që do të ketë te Ferrari.”
“Lewis do të shfrytëzojë përvojën e tij të grumbulluar gjatë viteve me Mercedes. Ai vjen me një qasje dhe vizion të ri, gjë që vetëm sa do të përfitojë skuadra,” tha Leclerc.
Monogasku nuk e fsheh se ndihet i stimuluar nga krahasimi me Hamilton: “Do të kem të njëjtën makinë si piloti më i suksesshëm në F1. Do të jetë shumë interesante për mua të mësoj nga një prej më të mirëve. Të mposht Lewis dhe të tregoj se çfarë jam i aftë të bëj do të jetë një sfidë dhe motivim i madh.” /Telesport.al/