Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për emërimin e Komisionit Shtetëror për hulumtimin, regjistrimin, inventarizimin, vlerësimin dhe dokumentimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe historike të shkatërruara gjatë luftës së vitit 1998 dhe 1999.
Ky komision ka për qëllim të hulumtojë, grumbullojë dhe administrojë të gjitha informatat dhe dëshmitë e nevojshme nga arkivat publike dhe jopublike si dhe nga të gjitha burimet e tjera të besueshme të informacionit zyrtar me qëllim të realizimit të plotë dhe në mënyrë shteruese të detyrës për hulumtimin, regjistrimin, inventarizimin, vlerësimin dhe dokumentimin e objekteve kulturore dhe historike të shkatërruara gjatë luftës së vitit 1998 dhe 1999.
Ndërkaq, komisioni obligohet të hartojë raporte për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe të njoftojë edhe Zyrën e Kryeministrit.
Komision përbëhet nga 14 anëtarë të cilët janë profesionistë dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe profesionale, si dhe profesionistë ndërkombëtarë.
Në fund punës, komisioni obligohet të hartojë një raport përfundimtar së bashku me një vlerësim të dëmit dhe/apo rëndësisë historike, kulturore, shoqërore dhe shpirtërore të objekteve të shkatërruara si dhe të kostos së përafërt financiare të tyre./GazetaSinjali