Në javën e parë të janarit erdhën “lajme të mira” në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), duke qenë se Prishtina dhe Beogradi u pajtuan për njohjen reciproke të targave të automjeteve – një marrëveshje në dukje e vogël, por një hap i madh përpara.
Kështu thuhet në një analizë të publikuar nga bordi editorial i kompanisë së njohur britanike “Emerging Europe” për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, veçanërisht pas njohjes së targave të automjeteve në bazë të parimit të reciprocitetit, duke i dhënë fund tensioneve për këtë çështje.
“Kosova dhe Serbia zgjidhën një mosmarrëveshje mbi njohjen e targave të automjeteve të njëra-tjetrës, një lëvizje që është përshëndetur dhe një hap përpara pas viteve të tensionit midis Beogradit dhe Prishtinës që nganjëherë është përshkallëzuar edhe në dhunë në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë”, vëren bordi editorial i kompanisë britanike.
“Por rruga për një marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve mbetet e gjatë”, thuhet ndër të tjera në analizën e “Emerging Europe” të publikuar të hënën, posaçërisht për shkak të mosmarrëveshjeve tjera të mbetura pezull: një ndër çështjet kryesore dhe prioritetet e BE-së mbetet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. /Albanianpost.com