Egjipti tregon shifrën e humbjeve nga bllokimi i Kanalit të Suezit

Autoritetet egjiptiane kanë thënë se kostoja e humbjeve dhe dëmeve që do të rrjedhin nga bllokimi i anijes gjigante “Ever Given” për disa ditë në Kanalin e Suezit ka gjasë të shkojë në një miliard dollarë amerikanë.

“Sasia e dëmit dhe humbjeve dhe shpenzimet e mjetet e pastrimit do të llogariten. Shifra do të arrijë në një miliard dollarë dhe pak më shumë”, tha drejtori i Autoritetit të Kanalit të Suezit, Osama Rabie.

Anija “Ever Given” u zhbllokua të hënën pas gati një jave të qëndrimit pa lëvizur, me ç’rast e bllokoi tërësisht trafikun ujor në njërën prej rrugëve më të rëndësishme në botë për këtë lloj transporti. Autoritetet të martën nisën hetime për ta zbuluar shkakun e ngecjes së anijes në bregun e kanalit, ndonëse si arsye është përmendur era e fortë dhe stuhia e rërës, që besohet ta ketë kufizuar dukshmërinë.

Pas zhbllokimit të anijes, Rabie tha se bllokimi i kanalit i ka kushtuar Egjiptit nga 12 deri në 15 milionë dollarë në ditë, ndërsa pas hetimeve do të përcaktohet subjekti përgjegjës për pagimin e dëmshpërblimit, shkruan Independent.

Rreth tri orë pas zhbllokimit të anijes, në Kanalin e Suezit filloi qarkullimi i anijeve tjera normalisht. Autoritetet po planifikojnë që ta dyfishojnë numrin e anijeve që do të kalojnë nëpër të për shkak të pritjeve të gjata, por ekspertët kanë paralajmëruar se pengesat në tregun global mund të zgjasin me muaj.

Read Previous

‘Game of Thrones’ kalon në teatër

Read Next

Arrestohet një person në Mitrovicë, kishte grabitur para nën kërcënimin e thikës