Shqipëria ka kohë deri më 12 janar për të nxjerrë ligje për të lejuar qytetarët e saj që jetojnë jashtë vendit të votojnë në zgjedhjet shqiptare.
Për tre dekada, qeveritë e njëpasnjëshme janë zotuar të trajtojnë të drejtën e shqiptarëve të diasporës për të votuar në zgjedhjet shqiptare pa pasur nevojë të kthehen fizikisht.
Herë pas here, komisioneri shtetëror i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka theksuar nevojën për të garantuar votimin e emigrantëve në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025.
Kjo, duke plotësuar boshllëkun ligjor të konstatuar nga Gjykata Kushtetuese.
“Nëse ky urdhërim i Gjykatës Kushtetuese nuk do të përmbushet, për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, votuesit e diasporës nuk do të mund të votojnë atje ku kanë vendbanimin, por do t’i duhet të votojnë sipas regjistrimit të tyre në Shqipëri”.
Gjithashtu edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka ravijëzuar rëndësinë e votës së emigrantëve.
“Ka disa hapa të domosdoshëm për t’u ndërmarrë. Pikësëpari është vota. Qytetarët shqiptarë jashtë vendit duhet të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar pa pasur nevojë të vijnë në Shqipëri. Ata duhet të votojnë, sipas një modeli që shumë vende të tjera e aplikojnë me sukses”, ka ravijëzuar Begaj.
Sipas tij, kjo do ta kthejë diasporën në aktore të drejtpërdrejtë të konfigurimit politik e administrativ në Shqipëri.
Ndërkohë, Begaj ka vlerësuar kontributin e shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit duke e cilësuar atë të pazëvendësueshëm në aspektin e remitancave, por jo vetëm.
“Shqiptarë që kanë jetuar e sakrifikuar me vite në emigracion janë kthyer e kontribuojnë me ide e nisma të reja në fusha të ndryshme, iniciativa me shumë sukses, përfituese për komunitete të tëra”, ka dalluar ai.
Mbi temën e votës së diasporës, angazhimi ka qenë i diskutueshëm gjithnjë, me palët politike shpesh të painteresuara për ta mundësuar votën e emigrantëve shqiptarë jashtë shtetit dhe me mungesa themelore reformash e ligjesh, të cilat i japin hapësirë shqiptarëve jashtë kufijve të shprehin vullnetin e tyre politik.
Lidhur me këtë, ka pasur edhe një takim të gjerë me përfaqësues politikë, shoqërinë civile, si edhe përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të parë hapësirat e mundshme të veprimit.
Një vendim i Gjykatës Kushtetuese, i cili e ka vlerësuar gjithashtu si cenim të të drejtës themelore për të votuar mungesën e hapësirës së posaçme të diasporës, bën që të kërkohet një ritëm tjetër, për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025.
Kështu, në një takim të zhvilluar nga Instituti i Studimeve Politike, do të ishte fillimisht Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ai i cili do të shprehte parimisht mangësinë e hapësirës ligjore, e cila e mban peng votën e diasporës.
“Nëse nuk do të plotësohet boshllëku ligjor i konstatuar nga Gjykata Kushtetuese, në zgjedhjet e vitit 2025 nuk do të ketë votim nga jashtë”, tha qartësisht ai.
Kështu, duke qenë edhe një kambanë alarmi për një situatë të ngjashme që mund të procesohet së shpejti, e ngjashme me zgjedhjet e përgjithshme 2021.
Ajo çfarë mungon realisht për Celibashin, është vullneti politik për t’i bërë gjërat.
Po ashtu, ai tregoi edhe mbi vonesën me të cilën KQZ mund të përballet, ku nëse ligjet implementohen gjashtë muaj përpara zgjedhjeve (fjala bie), nuk do të ketë kohë të mjaftueshme për KQZ-në që të vihen ato në zbatim.
“KQZ nuk mund të ndërmarrë hapa për anën rregullatore të procesit pa u shprehur Kuvendi për vendimin e GJK-së, këmbënguli kreu i këtij institucioni”, shtoi Celibashi.
Teksa, mbi afatin kohor, ai e bëri të qartë se kur gjithçka duhet zbatuar, me periudhë të përcaktuar: janari 2024.
Praktikisht, kjo do të thotë se Kuvendi parimisht ka tre muaj kohë, për të mundësuar ose jo votën e emigrantëve.
Por një ngërç thelbësor përmbahet edhe në Komisionin e Reformës Zgjedhore, i cili është krejtësisht afunksional për kohën që flasim.
Këtë gjë e pranuan edhe deputetët e pranishëm në takim.
Situata e brendshme e Partisë Demokratike, është ndër të tjera një tjetër minus që krijohet në gjithë këtë hallkë procedurale.
Sipas deputetet demokrate, Jorida Tabaku, është e pafalshme nga ana e opozitës, që nuk ka këmbëngulur për ta çuar gjithë procesin para.
“Mazhorancës mund të mos i interesojë vota e tyre, pasi nëse këta shqiptarë kanë ikur ata kanë ikur dhe për shkak të keqqeverisjes”, kujtoi ai, duke përmendur edhe uljen drastike të zgjedhësve që votojnë në Shqipëri.
Nga ana tjetër, deputeti socialist Lavdrim Krashi e kundërshtoi këtë qasje, duke thënë se ka nga ata në radhët e pozitës (si ai vetë), të cilët luftojnë që e drejta e votës, të bëhej realitet.
Ndërsa, për deputetin demokrat të grupacionit Berisha, Oerd Bylykbashi, koha është tani, për të vepruar sa më shpejt, duke e emërtuar një detyrë të Kuvendit bërjen faktike të reformës zgjedhore.
Do të arrihet gjithsesi në kaq pak kohë të ndodhë e gjitha?
Pyetja mbetet opsionalisht e hapur…dhe me një frikë të madhe dështimi kapilar rishtazi! /Albanianpost.com