Edhe Gjermania kundër synimit të Serbisë për të “vendosur” juridiksion gjyqësor në Kosovë

Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian edhe Gjermania e ka kundërshtuar synimin e Serbisë për të vendosur juridiksion gjyqësor në Kosovë, duke thënë se kjo shkel qartë detyrimet e dialogut.

Përmes një reagimi në platformën X, Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë i ka kërkuar Serbisë që ta rishqyrtojë këtë projektligj.

“Projektligji i Serbisë për shpalljen e Kosovës zonë të mbrojtjes së veçantë dhe juridiksionin e veprave penale shkel qartë detyrimet e saj të Dialogut. I kërkojmë Serbisë ta rishqyrtojë”, thuhet në reagim.

Berlini zyrtar ka theksuar se të dyja vendet duhet të zbatojnë marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023 pa vonesë, duke përfshirë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Të enjten, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ka thënë se Serbia i shkel detyrimet e dialogut duke pretenduar t’i gjykojë krimet në Kosovë.

“Ne pajtohemi me BE-në që projektligji i Serbisë që pretendon juridiksion ligjor në Kosovë shkel detyrimet e dialogut. Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjen e vitit 2023, duke përfshirë Asociacionin dhe zgjidhjet për të gjithë qytetarët, përfshirë serbët në Kosovë”, shkroi Miller në platformën X.

Në këtë linjë ishte edhe Bashkimi Evropian.

Përmes zëdhënëses Nabila Massrali, Unioni ka theksuar se obligimet e Serbisë dhe të Kosovës në lidhje me juridiksionin e autoriteteve gjyqësore, kanë qenë të qarta që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së parë të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, në vitin 2013.

“BE-ja e kujton Serbinë se i ka obligim të gjitha marrëveshjet nga dialogu, të cilat janë pjesë integrale e integrimit të saj evropian, dhe i bën thirrje Serbisë që ta rishqyrtojë projektligjin në përputhje me rrethanat”, tha Massrali për Radion Evropa e Lirë.

Tri ditë më parë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, këtë synim të Serbisë e cilësoi si veprim armiqësor dhe agresiv kundër integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror të Kosovës, duke kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë të reagojnë për këtë sulm të Serbisë.

Kurti ka shtuar se kjo iniciativë e fundit e Serbisë është edhe sulm ndaj Marrëveshjes Bazë (Bruksel më 27 shkurt, Ohër më 18 mars 2023), me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Qeveria e Serbisë ka njoftuar të hënën se ka miratuar një projektligj për, sikurse e ka cilësuar ajo, organizimin dhe kompetencën e autoriteteve gjyqësore serbe në ndjekjen e veprave penale të kryera në Kosovë – një masë që synon “mbrojtjen ligjore” të serbëve – krahas projekligjit për shpalljen e Kosovës “zonë të veçantë” të mbrojtjes sociale.

Ky hap i Qeverisë së Serbisë vjen pas paralajmërimit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, në shtator, i cili, duke prezantuar të ashtuquajturat “masa dhe kërkesa” për Kosovën, deklaroi se një prokurori speciale dhe një trup gjykues special “do t’i ndjekin penalisht të gjithë ata që marrin pjesë në persekutimin e popullatës serbe” në Kosovë./Albanianpost.com

Read Previous

Kërkohet më shumë barazi gjinore

Read Next

Gërvalla diskuton me homologen kanadeze për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes