Edhe 20 muaj pas fillimit të pandemisë, bota po debaton për maska

Në fillim të pandemisë, pjesa më e madhe e botës perëndimore ndoqi një rregull të ngjashme për trajtimin e COVID-19.

Qytetarët u përballën me bllokime; udhëtimet ndërkombëtare ishin shumë të kufizuara; dhe megjithëse kufizimet e brendshme shpesh rezultuan të diskutueshme, masat higjienike si distanca sociale, larja e duarve dhe vendosja e maskave në fytyrë inkurajoheshin fuqimisht – nëse jo edhe ligjërisht.

Por ato ditë janë pas nesh. Menaxhimi i pandemisë tani ndryshon shumë nga vendi në vend – me maskën e fytyrës vetëm një shembull i qasjes së botës ndaj COVID-19, transmeton CNN.

Shkenca pas maskave është mjaft e qartë dhe është bërë më e fortë gjatë rrjedhës së pandemisë. Studimet kanë treguar se maskat ulin ndjeshëm shanset e transmetimit të coronavirusit dhe disa lloje maskash mund të ndihmojnë në parandalimin e infektimit me virus nga personat që i mbajnë.

Megjithatë, debatet vazhdojnë ende në shumë vende mbi përdorimin e tyre, dhe disa rajone kohët e fundit kanë hequr kufizimet që njerëzit t’i mbajnë ato në hapësira të mbushura me njerëz.

“Maskat mbeten një simbol i një shoqërie të ndarë – midis atyre që mendojnë se jemi kufizuar shumë dhe atyre që mendojnë se nuk kemi ndërhyrë sa duhet gjatë pandemisë”, tha Simon Williams, një pedagog i vjetër mbi sjelljet e virusit në Universitetin Swansea në Uells.

Me perspektivën e një shpërthimi tjetër të pandemisë dimërore, disa vende po përballen me thirrjet për t’u kthyer në përdorimin e maskave. Por ata përballen me rezistencë nga njerëzit e lodhur nga mesazhet e pafundme të përziera – dhe shumë ekspertë kanë frikë se në vendet ku rregullat janë zbutur, rivendosja e mandateve mund të jetë e komplikuar.

/Telegrafi/

Read Previous

Haxhiu takon ambasadorin e ri italian, Antonello De Riu

Read Next

SHBA-ja fut në listën e zezë kompaninë izraelite të spiunazhit NSO Group