“E vërteta që më çliroi” – Ramadan Nishori rrëfen si e fitoi betejën me heshtjen dhe traumën

I mbijetuari i dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe burri i parë i cili publikisht ka folur për dhunimin, Ramadan Nishori tregoi për betejën që e ka pasur me vetën për të marrë shërbime psiko-sociale por edhe për të ndarë me familjen tmerrin që ka përjetuar.

Ai foli para shumë pjesëmarrësve në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili po mbahet në Prishtinë.

“Para se të shkoja në organizatë kam menduar t’i bëjë keq edhe vetës. Por ndërkohë duke marrë pjesë në seanca, vija duke e marrë vetën, e ndjeja vetën për çdo ditë më përkrahës dhe më i çliruar. Dhe pas disa vitesh, filluam me marrë pjesë edhe në seanca grupore me të mbijetuar tjerë dhe fillova çdo herë edhe me marrë forcë më shumë. Por forca shumë e madhe është kur i kam treguar bashkëshortes së pari. Para se t’i tregoja bashkëshortes, se tek ne të mbijetuarit sidomos mbrëmja është shumë e vështirë, se në mbrëmje të vjen si ngufatje, ikja në gjysmë të natës ikja prej shtëpisë dhe qaja. Dhe kur i kam treguar bashkëshortes e hoqa edhe atë barrë shumë të rëndë”, u shpreh ai.

Numri i personave të përdhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë nuk dihet, por raportet flasin për rreth 20 mijë. Historitë e tyre nuk dihen sepse të mbijetuarit ende i druhen stigmës e paragjykimit, dhe heshtin.

Më 14 prill të vitit 1999, Vasfije Krasniqi Goodman, atë kohë 16-vjeçare u rrëmbye nga forca policore serbe dhe u dërgua në fshatin Babimost, ku u dhunua seksualisht. /KosovaPress/

Read Previous

Bie qeveria në Holandë, lideri i së djathtës ekstreme tërhiqet nga koalicioni

Read Next

OKB-ja në Kosovë mohon raportimet për ndërprerje të kontakteve me Qeverinë Kurti