Dy vjet burgim për gazetaret që raportuan nga protesta në Bjellorusi

Dy gazetare të televizionit Belsat janë dënuar me nga dy vjet burgim për shkak të raportimit drejtpërdrejt nga një protestë në Minsk nëntorin e kaluar.

Të enjten, gjykatësja Natallya Buhuk i dënoi gazetaret Katsyaryna Andreyeva dhe Darya Chultsova pasi i shpalli fajtore për, siç thuhet, organizimin e ngjarjeve publike me qëllim të pengimit të rendit civil.

Në deklaratën e tyre të fundit në gjykatë, gazetaret Andreyeva dhe Chultsova përsëri i mohuan akuzat, duke thënë se ato janë të motivuara politikisht, shkruan Free Europe.

Andreyeva e kërkoi lirimin e menjëhershëm për veten, kolegen e saj dhe të gjithë të burgosurit politikë në Bjellorusi. Dy gazetaret u arrestuan më 15 nëntor, përderisa ishin duke raportuar nga një tubim në Minsk.

Gazetaret thanë se morën pjesë në këtë protestë vetëm për ta kryer punën e tyre, kur u arrestuan nga forcat e sigurisë.

Organizatat bjelloruse për të drejtat e njeriut i kanë njohur këto dy gazetare si të burgosura politike dhe e kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre.

Presidenti i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, është në pushtet nga viti 1994. Ai e shpalli fitoren në zgjedhje vitin e kaluar, por opozita ka thënë se në garë ka pasur mashtrime. Shteti i Evropës Lindore më pas u përfshi nga protestat masive, ndërsa policia i ka shtypur me dhunë tubimet./Ekonomiaonline

Read Previous

Mamusha i dyti në distancën 9 km për “Vrapimi i Pavarësisë”

Read Next

Program artistik nga Tv Syri: “Dashni për Pavarësi”