Një burrë të cilit i ishin dhënë gabimisht dozat e vaksinës për COVID-19 nga dy prodhues të ndryshëm u ndie i ‘shqetësuar’.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Craig Richards tha se përzierja ndodhi të martën në mëngjes kur atij iu dha një dozë e Pfizer si doza e tij e dytë – para se personi që e administronte të kuptonte që doza e tij e parë ishte nga Moderna.
“Ai tha: ‘Je gati?’ Unë thashë, ‘Sigurisht’, dhe ai më dha vaksinën”, ka treguar Richards nga Anglia.
“Sapo më dha vaksinën, ai shikoi kartën time, dhe unë mendoj se ai e kuptoi se sapo më dha Pfizer”.
Richards kishte marrë dozën e tij të parë të vaksinës Moderna në mars në të njëjtin vend të vaksinimit në Lempster, një qytet në New Hampshire.
Ndryshe, të dy këto vaksina – Pfizer dhe Moderna – përfshijnë dy doza.
Marrja e vetëm një doze thuhet se siguron një farë niveli të mbrojtjes, por marrësit duhet të marrin të dyja dozat për të marrë përfitimet e plota.
Një mbikëqyrës në vendin e vaksinimit foli me Richards dhe sipas tij, tha: “Do të jeni mirë”.
Por Richards nuk ishte i kënaqur dhe nuk mund të besonte se çfarë po ndodhte.
Sidoqoftë, shkruan Metro, në një deklaratë, Departamenti i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore të shtetit tha se Richards do të jetë mirë.
Ndryshe, Britania e Madhe ka nisur një studim për efektivitetin e përzierjes së llojeve të ndryshme të vaksinave të coronavirusit, duke përfshirë Pfizer dhe Moderna. /Telegrafi/