Ndërsa sot shënohet Dita Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Klimës, temperatura mbi sipërfaqen e planetit është rritur me një gradë që nga fillimi i procesit të industrializimit. Ky është rezultati i përllogaritjeve të kryera nga shërbimi meteorologjik britanik.
Nëse planeti do të vazhdojë të ngrohet, pasojat e ndryshimeve klimaterike do të arrijnë përmasa katastrofale, parashikojnë ekspertët e klimës.
Studiuesit mendojnë, se pasojat më të rënda të ndryshimit të klimës do të mund të shmangen, vetëm nëse Toka nuk do të ngrohet me më shumë se dy gradë. Marrëveshja e nënshkruar në vitin 2015 në Paris që udhëzon shtetet e Ballkanit Perëndimor që t’i rishikojnë strategjitë për energjinë mund të jetë edhe pjesë qenësishme e angazhimit të këtyre shteteve drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor kjo marrëveshje nuk është nënshkruar nga Kosova, për shkak të statusit që ajo mban në raport me Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Qeveria shqiptare ditët e fundit njoftoi për ndryshime të reja në ligjet për mbrojtjen e mjedisit.
Në fillim të majit, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro njoftoi ndryshimet dhe amendimet lidhur me 4 ligjet për mbrojtjen e mjedisit. Kumbaro tha se këto ndryshime derivojnë nga situata siç është raporti i Këshillimit Kombëtar, ku 70% e qytetarëve kërkonin forcim të masave ndëshkimore për ndotjen në mjedis, krimet mjedisore dhe veprimtari të tjera që dëmtojnë mjedisin, por edhe një nevojë akute lidhur me rritjen turistike që po përjeton vendi.
“Për arsye proceduriale dhe burokratike, gjobat bëheshin vështirësisht të ekzekutueshme për shkak të periudhave shumë të gjata të ankimimit, duke humbur efikasitetin e tyre në mbrojtjen e mjedisit. Akoma më akute bëhet kjo ndërhyrje kur kemi parasysh që popullsia e Shqipërisë nuk është më 2.8 milionë banorë, por me shtimin e flukseve turistike, ku presim 30-40% më shumë këtë vit, krahas gjithë punës dhe masave që ka marrë qeveria shqiptare por edhe pushteti vendor për mirëmbajtjen e mjedisit dhe menaxhimin e mbetjeve, masat administrative, gjobat me të cilat duhet të shoqërohet ky proces, janë jo thjesht pjesë penalizimi, por edhe masë edukimi. Prandaj të gjitha masat ndëshkimore të parashikuara në këto katër ligje rriten me rreth 30% por më e rëndësishmja është që ato kthehen menjëherë në titull ekzekutiv për të ruajtur efektin e tyre ndëshkues, korrektues dhe edukues”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Në fund të fjalës së saj, ministrja u shpreh se që nga individët e thjeshtë që ndotin natyrën, deri tek kompanitë e mëdha industriale janë të detyruar të investojnë në masat e duhura për të mbrojtur mjedisin dhe cilësinë e ajrit. Sipas ministres së Turizmit dhe Mjedisit, përveç detyrimit ndaj qytetarëve shqiptarë, këto masa shkojnë paralel me ambiciet për integrimin europian dhe vizionin e Shqipërisë turistike.
Ndryshimet e amenduara nga qeveria shqiptare u referohen 4 ligjeve në fushën e mjedisit, siç janë ligji “Për Mbrojtjen e Mjedisit”, ligji “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis”, ligji “Për Mbrojtjen e Biodiversitetit” dhe ligji “Për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis”.
Po kështu, vëmendje të veçantë i është kushtuar nga organet ligjzbatuese implementimit dhe zbatimit të ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”./atsh