Dita e Tokës, apel kundër plastikës

“Planeti kundër Plastikës”. Ky ëshë apeli i këtij viti në kuadër të 22 Prillit.

Dita e Tokës është një ngjarje ndërkombëtare që festohet në të gjithë botën për të premtuar mbrojtje dhe kujdes ndaj mjedisit.

Është e njohur që në vitin 1970, kur 20 milionë njerëz dolën në rrugë dhe protestuan kundër degradimit të mjedisit.

Protestat erdhën pas derdhjes së naftës në Santa Barbara në vitin 1969, si dhe për çështje të tjera si smogu dhe lumenjtë e ndotur.

Përgjatë gjysmës së shekullit të ardhshëm, Dita e Tokës vazhdoi të luante një rol të rëndësishëm në aktivizimin mjedisor.

Dita e Tokës synon të krijojë lëvizjen më të madhe mjedisore në botë për të nxitur ndryshime transformuese për njerëzit dhe planetin.

Në vitin 1969, një aktivist i paqes nga San Francisko, i quajtur John McConnell, propozoi një ditë për t’u bashkuar për sigurinë mjedisore.

John McConnell për Ditën e Tokës, zgjodhi si datë ekuinoksin e pranverës më 21 mars 1970, ndërsa Senatori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Gaylord Nelson përcaktoi datën 22 prill të vitit 1970, e cila u bë Dita e Tokës në mbarë botën.

Për themelimin e datës së festimit të Ditës së Tokës, Senatori Nelson u nderua me Çmimin Medalja Presidenciale e Lirisë.

Si çdo vit, 22 Prilli ka një temë të veçantë për të përqendruar vëmendjen globale në çështjet urgjente mjedisore.

Tema e Ditës së Tokës 2024 është “Planeti kundër Plastikës”.

Një temë kjo, që thekson nevojën për veprim kolektiv për të mbrojtur ekosistemet e planetit, për të luftuar ndryshimet klimatike dhe për të ruajtur biodiversitetin.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj – në Ditën Ndërkombëtare të Tokës – ka përcjellë një mesazh, ku nxit qytetarët të përkujdesen për mjedisin.

Kjo, në dobi të jetesës së fëmijëve të tyre dhe të ardhmes së përbashkët.

Begaj u ka drejtuar thirrje qytetarëve të vendit të mos qëndrojnë indiferent përballë emergjencës së ndryshimeve klimatike.

“Çdo hap i vogël drejt zgjidhjeve të qëndrueshme është një hap i madh për shëndetin e planetit tonë”, ka shkruar ai në një postim në mediat sociale.

“Kundër plastikës, për një të ardhme më të pastër!”, ka vijuar thirrja e tij. /Albanianpost.com

Read Previous

Aliu: Task-Forca e Gjelbër, jashtëzakonisht e rëndësishme për Kosovën

Read Next

Arrestohet një person, tentoi të kalonte në Portin e Durrësit me automatik të fshehur nën dyshekun e rulotit