Dita e 17-të e luftës: Si është situata në Ukrainë

· Zelenskiy akuzoi Rusinë për punësimin e “vrasësve nga Siria” pasi Kremlini rriti përpjekjet për të sjellë përforcime nga Lindja e Mesme. Ushtria e Sirisë ka filluar të rekrutojë trupa nga radhët e veta për të luftuar përkrah forcave ruse në Ukrainë, duke premtuar pagesa prej 3,000 dollarë në muaj – një shumë deri 50 herë më shumë se paga mujore e një ushtari sirian.

· Ukraina ka frikë se Bjellorusia mund të nisë një pushtim ndaj Ukrainës të shtunën pas një takimi në Moskë midis presidentit rus, Vladimir Putin, dhe homologut të tij bjellorus, Alexander Lukashenko.

· Imazhet satelitore tregojnë se forcat ruse po i afrohen më shumë Kievit dhe duket se po gjuajnë artileri drejt zonave të banuara, raporton Reuters. Forcat ruse bombarduan qytete në të gjithë vendin të premten dhe dukej se po rigrupoheshin për një sulm të mundshëm ndaj Kievit. Presidenti Zelenskyy tha se vendi i tij kishte arritur një “pikë kthese strategjike” në konflikt.

· Qindra mijëra civilë mbeten të bllokuar në qytetet e Ukrainës, por situata në Mariupol është veçanërisht e rëndë. Popullsia atje nuk ka akses në energji elektrike apo rrjetet e telefonisë celulare ndërsa uji dhe ushqimi po mbarojnë. 7,144 njerëz u evakuuan nga katër qytete të Ukrainës të premten. Zelenskyy akuzoi Rusinë se nuk ka lejuar largimin e njerëzve nga Mariupol dhe tha se Ukraina do të përpiqet përsëri të dërgojë ushqim dhe ilaçe të shtunën.

· Bashkimi Europian duhet të “bëjë më shumë” për Ukrainën, tha Volodymyr Zelenskyy të premten. “Ne duhet të bëjmë më shumë. Kjo nuk është ajo që ne presim,” tha presidenti në një video në Telegram. “Vendimet e politikanëve duhet të përkojnë me gjendjen shpirtërore të popullit të tyre, popullit të Europës. Bashkimi Europian duhet të bëjë më shumë për ne, për Ukrainën.” Zelenskyy kërkoi javën e kaluar që Brukseli të krijojë një “procedurë të re speciale” për t’i dhënë Ukrainës “anëtarësim të menjëhershëm”.

· SHBA ka paralajmëruar mundësinë e përdorimit të armëve kimike ose biologjike nga Rusia. Britania dhe SHBA-ja kanë shprehur frikën se Rusia mund të jetë duke krijuar skenën për të përdorur një armë kimike në Ukrainë.

· SHBA ka akuzuar Rusinë për shkelje të parimeve të sigurisë bërthamore. Sekretarja e Energjisë e SHBA-së, Jennifer Granholm tha se SHBA është e  shqetësuar për “veprimet e pamatura të Rusisë dhe shkeljet e parimeve të sigurisë bërthamore”, duke përfshirë shqetësimet për kushtet për stafin dhe dëmtimin e objekteve të kërkimit bërthamor.

· Një gjeneral i tretë rus është vrarë në Ukrainë, konfirmuan zyrtarët perëndimorë.

· Joe Biden njoftoi planet për të ndaluar importin e ushqimeve të detit, vodkës dhe diamanteve nga Rusia si hakmarrje për luftën e Putinit kundër Ukrainës. SHBA ka vendosur gjithashtu sanksione ndaj një grupi të elitës ruse duke përfshirë miliarderin Viktor Vekselberg, tre të afërm të zëdhënësit të Putinit dhe ligjvënës.

· Këshilli i Sigurimit i OKB-së u takua të premten për të diskutuar pretendimet e Moskës se SHBA po financon “aktivitetet biologjike ushtarake” në Ukrainë. Si SHBA ashtu edhe Ukraina kanë mohuar kategorikisht se po zhvillojnë ndonjë armë biologjike brenda vendit.

· Udhëheqësit e BE-së planifikojnë të riarmatosen kolektivisht dhe të bëhen autonom në ushqim, energji dhe pajisje ushtarake. Në një deklaratë pas takimit të tyre në Versajë ata e përshkruan luftën e Rusisë si “një ndryshim tektonik në historinë europiane”.

· Rusia vendos të bllokojë Instagramin pasi kompania mëmë, Meta, tha se do të lejonte që thirrjet për dhunë kundër Putinit dhe ushtarëve rusë të përfshirë në pushtimin e Ukrainës të shfaqen në platformën e rrjeteve sociale. Prokurorët rusë kërkuan që Instagram të bllokohej në Rusi pasi autoritetet e cilësuan Meta-n si një “organizatë ekstremiste”./anabelmagazine.com/

Read Previous

30 vjet nga vdekja e Martin Camaj, shkrimtarit që la gjurmë të pashlyeshme në letërsinë shqipe

Read Next

Gërvalla në Forumin e Diplomacisë në Antalia: Kosova e vendosur në rrugëtimin e saj drejt BE-së