Dita e 16 e barrikadave në veri

Barrikadat e vendosura në veri të vendit tash e gjashtëmbëdhjetë ditë vazhdojnë të qëndrojnë duke vështirësuar jetën e qytetarëve në atë pjesë, ndërsa rrugët në drejtim të kufirit të Jarinjes dhe Bërnjakut janë të bllokuara.

Vërehet prezencë e shtuar e pjesëtarëve të KFOR-it, në të dy drejtimet e kufijve me Serbinë.

Policia e Kosovës ka shtrirë pikëkontrollet e saj në drejtimin Mitrovicë-Leposaviq me qëllim të pengimit të aktiviteteve kriminale, por duke siguruar kështu edhe lëvizjen e lirë.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës po vazhdojnë patrullimin e tyre edhe nëpër zonat me popullatë të përzier në veri të Mitrovicës, duke ofruar rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim.

Ndryshe, situata e përgjithshme e sigurisë në veri të vendit aktualisht është e qetë.

Kryeministri Kurti dje në një konferencë për media tha se nuk mund të tolerohet gjendja e krijuar në Veri, derisa bëri të ditur se me komandantin e KFOR-it do të takohet pas Krishtlindjeve.

“KFOR-i ka kërkuar pak kohë, ne i kemi dhënë pak kohë. Por sot janë bërë dy javë që janë vendosur 11 barrikada dhe ato janë duke penguar lirinë e lëvizjes. KFOR-i gjithmonë është zotuar për ambient të qetë e të sigurt për liri të lëvizjes. Liria e Lëvizjes ka qenë vlera kryesore që KFOR-I e ka afirmuar gjithë këto vjet të pasluftës. Andaj ne I kemi dhënë kohë KFOR-it… KFOR-I ka kërkuar kohë, dhe meqë sot është krishtlindja, pas krishtlindjes duhet ta kemi një takim me komandantin e KFOR-it.. S’mund të tolerohet kjo gjendje. Në atë takim që presim ta kemi pas Krishtlindjes me Komandantin e KFOR-it besoj do të sqarohet gjithçka dhe do t’iu japim përgjigje”, është shprehur Kurti.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, para tre ditësh ka ritheksuar nga Mitrovica se policia ka kapacitete dhe është e gatshme t’i largojë barrikadat, mirëpo, është në pritje të një përgjigjeje nga KFOR-i, andaj akoma nuk është vendosur për diçka të tillë./Reporteri.net/

Read Previous

Festat e fundvitit, fluks hyrje-daljesh në Portin e Durrësit

Read Next

Presidentja Osmani me familje e kaloi mbrëmjen e Krishtlindjes në Pjetërshtan