Dita Botërore për Zero Diskriminim është një ditë e përvitshme që kremtohet çdo 1 mars nga Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Dita synon të promovojë barazinë para ligjit dhe praktikohet në të gjitha vendet anëtare të OKB-së.
Kjo ditë thekson nevojën urgjente për të ndërmarrë veprime që i japin fund pabarazive rreth të ardhurave, gjinisë, moshës, gjendjes shëndetësore, profesionit, paaftësisë, orientimit seksual, përdorimit të drogës, identitetit gjinor, racës, klasës, përkatësisë etnike dhe fesë që janë të përhapura në mbarë botën.
Shtetet kanë një detyrim moral dhe ligjor për të hequr ligjet diskriminuese dhe për të miratuar ligje që mbrojnë njerëzit nga diskriminimi.
OKB thotë se, “çdokush ka detyrimin të bëjë shtetin përgjegjës, të bëjë thirrje për ndryshim dhe të kontribuojë në përpjekjet për të hequr ligjet diskriminuese”.
Kjo ditë shënohet veçanërisht nga organizata si UNAIDS që luftojnë diskriminimin ndaj njerëzve që jetojnë me HIV/AIDS. Stigma dhe diskriminimi lidhur me HIV-in është i përhapur dhe ekziston pothuajse në çdo pjesë të botës.
Tema e kësaj dite për vitin 2025 është “We stand together” (Qëndrojmë së bashku). /ATSH/