Dita 72 e luftës – Si është situata në Ukrainë

*

Një operacion i tretë i Kombeve të Bashkuara është duke u zhvilluar për evakuimin e civilëve nga fabrika e çelikut Azovstal në Mariupol. Kryebashkiaku i Mariupol është shprehur se rreth 200 civilë mbeten të strehuar në tunele nëntokësore.

*

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, e përshkroi zonën e luftës në Mariupol si “peisazh ferri”. OKB-ja dhe Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq kanë ndihmuar deri më tani rreth 500 civilë të largohen nga zona e fabrikës së çelikut në qytetin- port gjatë dy operacioneve të kryera në javën e kaluar.

*

Një komandant ukrainas tha se “sulmet e rënda dhe të përgjakshme” vazhdojnë në Azovstal dhe se Rusia shkeli premtimin e saj për një armëpushim, duke penguar kështu evakuimin e civilëve.

*

Presidenti rus, Vladimir Putin, kërkoi që Ukraina të urdhërojë luftëtarët e saj të strehuar në Azovstal të dorëzohen. Në një telefonatë me kryeministrin e Izraelit, Naftali Bennett, Putin pretendoi se Rusia ishte ende e gatshme të siguronte kalim të sigurt për civilët nga uzina, sipas Kremlinit.

*

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka vendosur sanksione ndaj Evraz, prodhuesit shumëkombësh të çelikut, pjesërisht në pronësi të miliarderit Roman Abramovich. Kompania më parë llogaritej ndër kompanitë më të mëdha të Britanisë. 

*

Bashkimi Evropian po planifikon të vendosë sanksione ndaj Alina Kabaevës, e përfolur prej kohësh si e dashura e Vladimir Putinit, dhe Patriarkut Kirill, kreut të kishës Ortodokse ruse. Dy burime thanë se BE-ja ka propozuar sanksione ndaj Kabaeva, një ish-gjimnaste olimpik, paraqitja e së cilës në një listë sanksionesh u raportua për herë të parë nga Bloomberg.

*

Naftali Bennett tha se Vladimir Putin i kishte kërkuar falje për pretendimet e ministrit të Jashtëm rus se Adolf Hitler kishte origjinë hebreje. Kryeministri izraelit, pas një telefonate me Putin, tha se ai kishte pranuar faljen dhe falënderoi presidentin për sqarimin e pozicionit të tij.

*

Kryeministri britanik Boris Johnson lavdëroi presidentin e Ukrainës Zelenskiy si “një nga udhëheqësit më të jashtëzakonshëm të kohëve moderne” gjatë një eventi për mbledhjen e fondeve në Londër. Johnson tha se Mbretëria e Bashkuar do të “vazhdojë të intensifikojë” përpjekjet për të ndihmuar Ukrainën për aq kohë sa nevojitet ndihma dhe këmbënguli se presidenti rus Vladimir Putin “nuk do ta thyejë kurrë” shpirtin e popullit ukraina.

*

Polonia dhe shtetet baltike kanë inauguruar një tubacion të ri gazi që lidh BE-në veri-lindore me pjesën tjetër të bllokut, një hap vendimtar drejt reduktimit të varësisë nga gazi rus. Tubacioni 508 km i gjatë (316 milje) që lidh rrjetet e gazit të Polonisë dhe Lituanisë përfundimisht do të jetë në gjendje të transportojë rreth dy miliardë metra kub gaz në vit në të dy drejtimet.

*

Një jaht prej 300 milionë dollarësh që i përket oligarkut rus Suleiman Kerimov është sekuestruar nga autoritetet e Fiji-it me kërkesë të Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara.

Burimi: The Guardian

Read Previous

Edukimi mediatik, i domosdoshëm për të rinjtë

Read Next

Gripi i Shpezëve në rajon, AUV: 91 mijë shpezë u asgjësuan në Kosovë