Kryesuesi i Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Gjermanisë (Bundestag), Michael Roth, derisa ka komentuar shqetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dislokimin e trupave ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën, ka kritikuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për situatën e krijuar në terren.
“I nderuari zoti President Vuçiç pyes veten nëse ky është kontributi juaj për de-përshkallëzimin, paqen dhe pajtimin?”, ka pyetur ai në një postim në platformën sociale, X.
Gjithë në këtë situatë të tensionuar në terren, deputeti gjerman, ka kritikuar edhe mos-reagimin e Bashkimit Evropian.
“Ku – dreqin – është BE”, ka shtuar ai.
Dear Mr President @avucic, I wonder whether this is your contribution to deescalation, peace and reconciliation? Where – the hell – is the EU😳 https://t.co/1GumLuv2mx— Michael Roth – official 🇪🇺🇺🇦 (@MiRo_SPD) September 30, 2023
Ndryshe pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i ka bërë thirrje Serbisë të shtunën ta ndalë menjëherë zhvendosjen e ushtrisë përgjatë kufirit me Kosovën dhe t’i tërheqë trupat e vendosur deri tani.
Shefi i diplomacisë së BE-së tha për disa media ndërkombëtare se blloku është duke diskutuar me partnerët dhe aleatët e vet për gjendjen e tanishme Veri të Kosovës, ku sasia e armatimit të gjetur nga Policia e Kosovës “është shumë serioze”.
Borell ka përsëritur pritjet e tij që përgjegjësit për sulmin e 24 shtatorit të ndëshkohen dhe Kosova dhe Serbia t’i kthehen dialogut.
“Duhet të kthehemi prapa në situatën në të cilën palët bisedojnë dhe të kthehemi në dialogun e lehtësuar nga BE-ja i cili është e vetmja platformë për normalizimin e raporteve mes tyre“ shtoi ai.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur përsëri shqetësimin e tyre për dislokimin e trupave ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën, në një komunikatë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë ku është njoftuar biseda telefonike e këshilltarit për siguri kombëtare në SHBA, Jake Sullivan, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Në po këtë komunikatë për media bëhet e ditur se Sullivan ka theksuar gatishmërinë e SHBA-së për të siguruar që KFOR-i të ketë burimet e duhura për të përmbushur misionin e tij.
“Ai gjithashtu shprehu shqetësimin për mobilizimet ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën. Ai vuri në dukje vendimet e fundit të NATO-s për të forcuar praninë dhe aktivitetin e Forcave të NATO-s në Kosovë (KFOR), veçanërisht në Veri të Kosovës, dhe nënvizoi gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar me aleatët tanë për të siguruar që KFOR-i të ketë burimet e duhura për të përmbushur misionin e tij”, thuhet në komunikatën për media e lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.
Më herët gjatë ditës së premte, SHBA-të kërkuan nga Serbia që t’i tërheqë trupat ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën dhe që sulmuesit në rastin e Banjskës të mbahen përgjegjës.
NATO-ja ka vendosur për shtim të trupave në Kosovë. /Albanianpost.com