“Diskutimet për ndërtimin e një baze të NATO-s në Porto Romano janë në një fazë të avancuar”

Diskutimet për ndërtimin e një baze të NATO-s në Porto Romano janë në një fazë të avancuar, kështu është shprehur Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Gjatë prezantimit të projekteve infrastrukturore dhe energjetike për vitin 2025, në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Balluku u shpreh se linja hekurudhore që do të lidhë portin e Porto Romanos dhe bazën e NATO-s, me pjesën tjetër të Korridorit VIII, do të jetë një nga linjat më të rëndësishme në Republikën e Shqipërisë.

“Sa i takon Korridorit VIII, një projekt i rëndësishëm është rehabilitimi i linjës Durrës-Rrogozhinë. Korridori VIII është një korridor, jo vetëm transporti, por edhe energjetik dhe korridor sigurie. Ne jemi ulur në tryezë me drejtues të NATO-s për të shprehur dëshirën tonë për të pasur në të ardhmen në zonën e Porto Romanos jo vetëm një port komercial, por edhe një bazë të NATO-s”.

Kjo linjë do të bashkërendohet me 4 vendet e tjera, që janë krijuese të Korridorit VIII: Itali, Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe Bullgari.

Sipas Ballukut, aksesi nga Deti Mesdhe në Detin e Zi është synimi kryesor i këtij korridori që ndikon ndjeshëm në komponentët që lidhen me transportin, ekonominë dhe sigurinë për kryeqytete si Shkupi, Sofja, Beogradi, Zagrebi, Lubjana e Budapesti, duke i dhënë një zhvillim.

Kujtojmë se më 12 shtator, ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pirro Vëngu ka thënë se rreth 54 milionë euro janë caktuar për ndërtimin e një baze detare të NATO-s në zonën e Porto Romanos në veriperëndim të Durrësit, nga shuma totale e investimit prej rreth 390 milionë euro (430 milionë dollarë) e planifikuar për ndërtimin e një kompleksi i ri port atje.

I gjithë projekti për ndërtimin e një kompleksi portual civil dhe ushtarak në Porto Romano po financohet nga buxheti i shtetit, tha Vëngu duke folur në Forumin e Lidhjes së Tiranës për rolin e infrastrukturës së Ballkanit Perëndimor në sigurinë e BE-së.

Në vitin 2022, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se projekti do të bashkëfinancohej nëpërmjet një partneriteti publik-privat me një investitor ndërkombëtar. Qeveria kishte diskutuar gjithashtu për bashkëfinancimin e mundshëm të NATO-s për bazën.

Në janar të këtij viti, Rama tha se qeveria vendosi të kalojë në financimin e brendshëm, në mënyrë që të mos varet nga periudhat e tepruara që vijnë nga financimi i huaj.

Shqipëria hapi tenderin për fazën e parë të ndërtimit të portit të Port Romanos në korrik, me një buxhet të vlerësuar në 39.2 miliardë lekë (393.4 milionë euro).

Në mars, Shqipëria përuroi një bazë ajrore të NATO-s në qytetin qendror të Kuçovës, rreth 80 kilometra në jug të Tiranës. Shqipëria u anëtarësua në NATO në prill 2009.

Ndërtimi i situatës

Një bazë detare e NATO-s po shqyrtohet për të marrë jetë në Porto Romano të Durrësit, si një propozim nga Qeveria shqiptare karshi aleancës më të madhe ushtarake në botë, ku vendi vetë aderon.

Në një vizitë zyrtare në zyrat qendrore të organizatës së Atlantikut të Veriut, ishte kryeministri shqiptar, Edi Rama, ai i cili e ravijëzoi planin për të pasur këtë bazë të modernizuar ushtarake në detin Adriatik.

Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, nuk u ndal në komentim e kësaj baze në fjalën e tij për media.

Mbi situatën e bisedimeve, Albanian Post pyeti për çështjen dhe një zyrtar i aleancës, theksoi se NATO i mirëpret të gjitha ofertat e aleatëve për të ndërtuar baza të organizatës në këto vende.

Mirëpo, nga ana tjetër, zyrtari shpjegon se janë ekspertët, ata të cilët duhet t’i shqyrtojnë ofertat e ardhura, e më pas të vendosin.

“E mirëpresim çdo ofertë nga aleatët për të ndërtuar baza të NATO-s”, shpjegon ai. “Ekspertët tanë duhet t’i shohin këto oferta, e më pas të japin këshilla, duke u bazuar në kërkesat ushtarake”.

Ndaj, thënë kjo, ka ende procedura për t’u kaluar ndaj propozimit shqiptar dhe nuk është e pohuar nëse Porto Romano do të kalojë në përdorimin e NATO-s.

Në të tillë rast, së bashku me ndërtimin e bazës ajrore në Kuçovë, Shqipëria do të kthehej potencialisht në partnerin më të rëndësishëm të NATO-s në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke ndihmuar kështu edhe me stabilitetin e rajonit apo më gjerë.

Vendosja e trupave amerikane dhe vendeve të tjera është po ashtu e parashikuar në bazën e Kuçovës, së bashku me jetësimin e një flote aviacioni me ekuipazhe ushtarake moderne (ndryshe nga avionët MiG të epokës sovjetike, të cilët janë të amortizuar në Kuçovë).

Me një dritë jeshile nga ana e ekspertëve, brenda vitit 2023 për bazën ajrore dhe brenda 2025-ës potencial për atë detare, mund të kemi të dy bazat gati. /Albanianpost.com

Read Previous

Samiti i BE-së në Budapest: Ekonomia duhet forcuar

Read Next

Çfarë pritet mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut pas fitores së Trump