Disa vende të Gadishullit Ballkanik janë duke raportuar ditëve të fundit rritje të rasteve të coronavirusit dhe atë në baza ditore.
Në mesin e këtyre vendeve që shënuan rritje janë Serbia, Hungaria, Sllovenia, Kroacia dhe Bullgaria.
Bazuar në të dhënat e Worldometer që monitoron rastet me coronavirus në të gjithë botën, mund të vërehet se Kroacia ka raportuar më 4 nëntor numrin më të madh të rasteve ditore që nga shpërthimi i pandemisë, duke shënuar kështu 6,310 të prekur. Më 3 nëntor vendi raportoi më shumë se 4,500 raste.
Deri më tani në Kroaci janë raportuar gjithsej 490 mijë raste dhe 9,400 viktima si pasojë e virusit vdekjeprurës, shkruan Telegrafi.
Fluks i madh i rasteve është raportuar gjithashtu edhe në Slloveni, pasi shifra më e madhe e regjistruar që kur shpërtheu pandemia është më 4 nëntor, ku vendi shënoi 4,516 të prekur.
Sipas matjeve të deritanishme, numri i përgjithshëm i infeksioneve në Slloveni vlerësohet të jetë ngjitur në më shumë se 349 mijë.
/Telegrafi/