Disa raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë

Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga fenomenet më shqetësuese në Kosovë, duke u shfaqur pothuajse çdo ditë në raportet e Policisë së Kosovës. Edhe në raportin e fundit 24-orësh janë evidentuar disa raste të dhunës dhe kanosjes në qytete të ndryshme të vendit.

Sipas policisë, në Lipjan është raportuar një rast i dhunës në familje, ku një grua është sulmuar fizikisht nga një burrë. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari ndodhet në kërkim policor dhe rasti është duke u hetuar.

Një tjetër rast i dhunës në familje është raportuar edhe në Klinë, ku një burrë dyshohet se ka sulmuar fizikisht një grua. Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit policia ka konfiskuar edhe një armë zjarri me pesë fishekë. I dyshuari është dërguar në mbajtje.

Po ashtu, dy raste të tjera të dhunës në familje janë raportuar në Gjakovë dhe Rahovec, ku viktimat janë gra që dyshohet se janë sulmuar fizikisht nga burrat. Në të dy rastet viktimat kanë pranuar trajtim mjekësor, ndërsa të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Ndërkohë, policia ka raportuar edhe raste të tjera të dhunës dhe kërcënimeve. Në Prishtinë, tre persona janë arrestuar pasi dyshohet se kanë sulmuar fizikisht një burrë. Gjatë arrestimit, tek njëri prej tyre është gjetur edhe një sasi e substancës narkotike të dyshuar si marihuanë.

Në Pejë, një person është arrestuar pasi dyshohet se ka kanosur një burrë me armë zjarri. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij policia ka konfiskuar një pushkë gjuetie dhe një pistoletë shkrepëse.

Një rast i kanosjes është raportuar edhe në Mitrovicë, ku një burrë ka njoftuar policinë se është kërcënuar nga persona të panjohur përmes rrjeteve sociale.

Sipas raportit policor, vetëm nga këto raste të evidentuara rezultojnë shtatë incidente të lidhura me dhunën dhe kanosjen, ndërsa autoritetet thonë se hetimet për secilin rast janë duke vazhduar.

Sipas të dhënat statistikore, dhuna në familje në Kosovë po shënon rritje alarmante. Nga janari deri në tetor të vitit 2025 janë raportuar mbi 2,400 raste, ku shumica dërmuese e viktimave janë femra. Ndërkaq, gjatë periudhës 2023–2025 janë raportuar mbi 8 mijë raste të dhunës në familje. /RTKLive

Read Previous

Biblioteka Kombëtare nderon “Epopenë e UÇK-së” me dy ekspozita

Read Next

Sonte mbahet koncerti “Vargjet” nga Rexhep Selimi në këngët atdhetare