Ángel Di María dhe Louis van Gaal u takuan te Manchester United në sezonin 2014-2015, por marrëdhënia e tyre ishte larg idealeve. Që atëherë, kanë shkëmbyer shpesh fjalë të ashpra në distancë.
Një tjetër episod ndodhi së fundmi gjatë dokumentarit të “Netflix,” të titulluar “Breaking Down the Wall.” Në të, Di María nuk u përmbajt: “Louis van Gaal është trajneri më i keq që kam pasur ndonjëherë, dhe nuk do të lodhem kurrë së thëni këtë.”
Argjentinasi theksoi se do ta përsërisë këtë çdo herë që t’i jepet mundësia. Ai përmendi gjithashtu fitoren e Argjentinës ndaj Holandës në Botërorin 2022 në Katar, kur Van Gaal ishte trajner i Holandës: “Ne fituam me penallti, megjithëse ai tha se nuk do të arrinim dot, duke pretenduar se dinte gjithçka. Në fund, i tërhoqi fjalët e tij… ose më saktë, le të themi se i hëngri ato.” /Telesport.al/