Angel Di Maria mund të krenohet me një karrierë në klubet më të mëdha të botës: Real Madrid, Manchester United, Paris Saint-Germain, Juventus dhe në kampionatet më prestigjioze të Europës. Sot luan në Portugali, te Benfica, klubi që i mundësoi hapin e madh në futbollin europian fillimisht. Pas eksperiencës te Juventusi, argjentinasi e bëri të qartë dëshirën e tij: të kthehej në Lisbonë me familjen, pavarësisht ofertave joshëse që kishte marrë.
“Mora shumë oferta, me shifra që nuk i kisha parë kurrë më parë në letër. Megjithatë, unë dhe familja ime vendosëm: Jo, do të kthehemi në Lisbonë, duam të kthehemi te Benfica. Këtë mundësi e pata edhe vitin e kaluar, kur isha te Juventusi, por doja të provoja eksperiencën e kampionatit italian dhe Juventusi është klubi më i madh në Itali”, – ka treguar ai në një intervistë për “Infobae”.
Di Maria pranoi se Arabia Saudite e kishte tunduar disa herë: “E vërteta është se mora një ofertë nga Arabia Saudite. Nuk kam agjent, është një mik që i menaxhon gjërat e mia dhe më mbështet në gjithçka. Refuzova propozimin e parë, pastaj erdhi një tjetër, më shumë se dyfishi i të parit, nga i njëjti klub. E refuzova përsëri.
Në atë moment, miku im më tha: Duhet t’ua themi qartë, sepse ata nuk e dinë që nuk do të shkosh atje për të luajtur. Dhe kështu u përgjigja: Mirë, nëse më japin këtë shumë, atëherë ndoshta mund të flasim. Gruaja ime më tha: Po tallesh? Nuk ka shans të ta japin atë shumë, je i çmendur!
Në fund, doli që i çmenduri kishte të drejtë. E diskutuam në familje: Po sikur t’u kërkojmë një shumë të jashtëzakonshme dhe ata ta pranojnë? Kur miku im më njoftoi për përgjigjen e tyre, i thashë gruas sime: E sheh? Nuk jam i çmendur!
Në fund vendosëm: Do të shkojmë në Lisbonë, te Benfica. Nuk kam asnjë dëshirë ta mbyll karrierën time në një vend të tillë”, – përfundoi argjentinasi, duke theksuar edhe një herë zgjedhjen e tij të zemrës për klubin portugez. /Telesport.al/