Dhjetë komunat e Kosovës ku janë vaksinuar më së shumti qytetarë, Gjakova e katërta

Në Qendrat e Vaksinimit në Kosovë është duke vazhduar imunizimi i qytetarëve me vaksinën antiCOVID-19, edhe pse interesimi për vaksinim kohëve të fundit ka rënë, ndërkaq edhe rastet e reja dhe numri i vdekjeve nga COVID-19 ka rënë dukshëm.

Sipas statistikave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, Komuna e Prishtinës prin me numrin më të madh të të vaksinuarve sipas vendbanimit.

Në bazë të këtyre të dhënave, në Prishtinë numri i personave që kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës antiCOVID-19 është 234 mijë e 725.

Në listën prej dhjetë vendeve me më së shumti persona të vaksinuar pas Prishtinës që është e para, janë komunat: Prizren, Ferizaj, Gjakovë, Pejë, Gjilan, Podujevë, Mitrovicë, Vushtrri e Suharekë.

Sipas të dhënave, numri i imunizimeve në këto komuna është: Prishtinë 234 mijë e 725, Prizren 130 mijë e 482, Ferizaj 104 mijë e 215, Gjakovë 95 mijë e 327, Pejë  89 mijë e 222, Gjilan 85 mijë e 632, Podujevë 73 mijë e 674, Mitrovicë 66 mijë e 443, Vushtrri 65 mijë e 732, Suharekë 55 mijë e 587.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë thirrje që qytetarët të vaksinohen sa më shumë, e po ashtu të respektojnë masat antiCOVID.

IKSHPK-ja ka paralajmëruar se situata me pandeminë si në shtetet e rajonit mund të përkeqësohet edhe në Kosovë, prandaj ka bërë thirrje të mbikqyret me përpikëri zbatimi i masave antiCOVID-19. Ata tutje thonë se janë duke vazhduar pandërprerë me gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik.

Po ashtu, ata thonë se për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, ata bëjnë thirrje në veçanti për kujdes dhe mosgrumbullim. “Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë. Është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19”, thuhet tutje.

Nga IKSHPK-ja kanë thënë se “Duke qenë se vaksinimi është mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar COVID-19, veçanërisht format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet, ne vazhdojmë të apelojmë fuqishëm për vaksinim sa më gjithpërfshirës, sa më të gjerë dhe sa më të shpejtë të popullatës”.

“Duke u vaksinuar vetë, ju mbroni veten, mbroni edhe njerëzit për rreth jush, në rend të parë familjen. Vaksinimi mbetet arma më e fortë për të parandaluar hospitalizimin. Të gjithë pa dallim dhe domosdoshëmrisht duhet të vazhdojmë të zbatojmë masat parandaluese kundër COVID-19 dhe rekomandimet e profesionistëve shëndetësor”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Read Previous

Vendimet e MSH-së për të nxitur qytetarët të imunizohen

Read Next

Numri i fëmijëve që po trajtohen për COVID-19 në spitalet e Malit të Zi në rritje