Deputeti ukrainas: Kosova duhet të njihet nga të gjitha vendet e Këshillit të Evropës

Anëtari i delegacionit të Ukrainës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Oleksii Goncharenko, deklaroi se “Kosova është pjesë e Evropës”.

Ai gjatë sesionit të Asmablesë Parlamentare të KE-së ka lutur të gjitha shtetet mosnjohëse që ta njohin pavarësinë e Kosovës.

“Kosova duhet të njihet nga të gjitha vendet e Këshillit të Evropës ku 12 vende nuk e kanë njohur. Ju drejtohem, ju lutemi ta njihni këtë vend si shtet të pavarur siç luftuan ata për të ardhmen e tyre, për pavarësinë e tyre dhe duhet të ulen këtu së bashku me ne, të jenë pjesë e Këshillit të Evropës dhe vetëm kështu ne mund të bëhemi më të fortë. Të gjithë duhet ta bëjmë këtë, ta njohim Kosovën dhe së bashku të ecim përpara”.

Deputeti ukrainas theksoi edhe rëndësinë e Ballkanit Perëndimor që të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.

Por, kërkoi angazhimin e të gjithë botës në veçanti Evropës.

“Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e botës së lirë dhe ne duhet të bëjmë gjithçka për t’i ndihmuar ata ta bëjnë këtë. Po përpiqen të përdorin Ballkanin Perëndimor për të pasur më shumë kaos në botë”.

“Kush tenton të destabilizojë Bosnjën dhe Hercegovinën, Rusinë. Sot duhet të themi se duhet të bëjmë gjithçka që mundemi që këto vende të prosperojnë dhe të jenë pjesë e vlerave tona të përbashkëta”.

Ai ka bërë thirrje në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës për një “botë të lirë për të gjithë”.

“Në përgjithësi ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për ta bërë botën të lirë të gjithë planetin, por duhet të fillojmë me Evropën. Nuk duhet të ketë vrima në hartën e Evropës për një ose një vend tjetër që nuk është pjesë e Evropës dhe projektit evropian ku ne vlerësojmë të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë”.

Procedurat e pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Këshilli i Evropës është organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë. Ky institucion mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në shtetet anëtare.

Këshilli i Evropës është organ krejtësisht e ndarë nga Bashkimi Evropian.

Këshilli nuk kontrollohet nga BE-ja.

Sipas procedurës, aplikacionin e një shteti fillimisht e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pas shqyrtimit, fjalën përfundimtare e ka Asambleja Parlamentare.

Kjo Asamble përbëhet nga përfaqësuesit e shteteve anëtare.

Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës. Këshilli i Evropës ka 47 anëtarë.

Çdo anëtar i Këshillit të Evropës duhet të pranojë parimet e sundimit të ligjit dhe zbatimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për të gjithë personat brenda juridiksionit të atij shteti. /Albanianpost.com

Read Previous

Murati: Borxhi publik ishte i lartë, kemi filluar të stabilizohemi

Read Next

Moment historik, fjalimi i parë i Kosovës pritet me duartrokitje në Këshillin e Evropës (VIDEO)