Deputeti gjerman nga radhët e Free Democratic Party, Thomas Hacker, ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës, gjegjësisht kryeministrit, Albin Kurtit, për të pranuar propozimin franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi.
Mu për këtë arsye Hacker, ka shkruar në rrjetin e tij social në Twitter, se tashmë situatën e ka në dorë BE-ja, e cila sipas tij nuk duhet të lejojë të ketë probleme në rajon.
“Është mirë që Kosova pranon propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë si bazë për negociata. Duke pasur parasysh situatën ndërkombëtare, BE-ja nuk duhet të lejojë më probleme në lagjen e saj”, ka shkruar Hacker në Twitter.
Përveç deputetit gjerman, edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës për propozimin franko-gjerman.
I lumtur me këtë pranim përveç deputetit gjerman e ambasadorit amerikan ka qenë edhe i deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
I pari i qeverisë së Kosovës, pas takimit me Lajçak ditë më parë deklaroi se e ka pranuar propozimin e BE-së për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë që nuk e ka në qendër njohjen, por rregullon disa aspekte të tjera mes nënshkruesve sipas kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara. /Albanianpost.com