Delegacioni i Kosovës i bindur se anëtarësimi në Këshillin e Evropës do bëhet realitet

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, njëherësh anëtare e delegacionit të Kosovës në Këshillin e Evropës, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të hënën, u shpreh e bindur se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë do të bëhet realitet.

“Kosova që 20 vite ka dëshmuar përkushtim  në ndërtimin e vlerave thelbësore të demokracisë, respektimin e  të drejtave të njeriut, sundimin e  ligjit dhe në mbrojtjen e barabartë të njerëzve!Sot dhe nesër janë ditë historike për të ardhmen tonë evropiane!”, shkroi deputetja kosovare.

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të dielen, ndonëse e konsideroi proces sfidues vendimmarrjen e ardhshme, tha se Kosova do ta kalojë fazën parafinale në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Procesi i votimit në tërësi do të jetë sfidues, disa vende sikur Spanja dhe të tjera kanë folur hapur kundër anëtarësimit tonë, por besoj që kësaj radhe do të triumfojmë, pasi që mbështetja e vendeve mike është e parezervë, ndërsa angazhimi i delegacionit ka qenë i vazhdueshëm dhe shumë unik e serioz”, shkroi deputeti kosovar në prag të votimit në Këshillin e Evropës.

Komiteti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Barazi dhe Jo-Diskriminim pritet të diskutojë gjatë ditës raportin për Kosovën. Po ashtu edhe në Komitetin për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut, në të njëjtën ditë, do të diskutohet për anëtarësimin e Kosovës.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës pritet të votojë për anëtarësimin e Kosovës pasneser (16 prill). Do të duhen 2/3 e votave të deputetëve të shteteve anëtare, për t’i rekomanduar Këshillit të Ministrave – organit vendimmarrës – që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtarja më e re. Kjo, nëse gjithçka shkon sipas planit, pritet të ndodhë në mes të muajit maj.

Komiteti për Politikë dhe Demokraci në Këshillin e Evropës, më 27 mars, miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë – pro votuan 31 përfaqësues të shteteve anëtare, katër kundër dhe një abstenoi.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshill të Evropës në maj të vitit 2022, por moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit u kthye në pengesë që vendi i vogël ballkanik të vazhdojë rrugëtimin drejt anëtarësimit në organizatë, posaçërisht sepse të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë dy vlerat themelore mbi të cilat bazohet Këshilli i Evropës./Albanianpost.com

Read Previous

Nis Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

Read Next

Clinton për luftën në Kosovë: Gratë janë përfaqësuese të paqes, jo vetëm viktima të dhunës