Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili dje ishte në Bruksel së bashku me zëvendësin e tij, Dardan Fusha, për të biseduar me ndërmjetësuesin e BE-së dhe me palën serbe për çështjen e heqjes së dinarit serb nga përdorimi në vend.
BQK njoftoi se në kryeqendrën europiane u takuan edhe me ambasadorin e Kosovës në Belgjikë, Luksemburg dhe BE, Agron Bajramin dhe ambasadorin e Kosovër për marrëdhënie me NATO-n, Astrit Zemajn. Me ta, BQK thotë se “është biseduar për aktualitetet në sistemin financiar të vendit”.
“Gjatë këtij takimi është diskutuar edhe lidhur me aktivitetet e BQK-së në kuadër të projektit të BE-së për Modernizimin e Sistemit të Pagesave të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përkatësisht anëtarësimit në Zonën e Vetme të Pagesave të BE-së, çështjen e përpjekjeve për Kartonin e Gjelbër, si dhe adresimin e çështjeve që lidhen me plafromat globale të pagesave”, thuhet në komunikatën e BQK-së.
BQK thotë se delegacioni i saj i njoftoi ambasadorët edhe “lidhur me avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative sipas direktivave të BE-së dhe standardeve më të larta ndërkombëtare”.
“Ambasadori Bajrami shprehu mbështetjen e tij për të kontribuuar në proceset e rëndësishme integruese dhe përafrim të legjislacionit me Bashkimin Evropian”, thuhet në komunikatë.
Banka Qendore e Kosovës ka njoftuar dje se në takimin në Bruksel nuk është vënë në diskutim rregullorja e re e këtij institucioni, por që janë ngritur disa shqetësime për ndikimin që ajo mund të ketë tek qytetarët serb, lidhur me mënyrën e transferimit të parave.
Siç u bë e ditur, është vlerësuar si e nevojshme pjesëmarrja për të dhënë sqarime të duhura lidhur me këto shqetësime si dhe për të argumentuar praktikisht mundësitë ligjore dhe teknike të transferimit të parave.
“Një delegacion i lartë i Bankës Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) mori pjesë në takim me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Bruksel, të kryesuar nga Z. Miroslav Lajčák. Gjatë këtij takimi, delegacioni i BQK-së ka informuar dhe paraqitur argumentet lidhur me Rregulloren për Operacione me Para të Gatshme. Autoriteti kushtetues dhe ligjor i BQK-së dhe rregullimi i vendosur nga BQK-ja nuk u vu në diskutim apo kontestua nga BE-ja, megjithatë janë ngritur disa brenga për ndikimin e mundshëm te qytetarët tanë të komunitetit serb. Ndaj edhe është vlerësuar e nevojshme pjesëmarrja për të dhënë sqarime të duhura lidhur me këto shqetësimet si dhe argumentuar praktikisht mundësitë ligjore dhe teknike ekzistuese të transferimit të mjeteve financiare”, thuhet mes tjerash në komunikatën e BQK-së.
Në anën tjetër, emisari evropian Miroslav Lajçak nuk ka komentuar lidhur me rregulloren e re të BQK-së, por që përmes një postimi të bërë në platformën “X”, vlerësoi angazhimin e palëve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme, ndërsa theksoi se takimet sot ishin një hap i parë i rëndësishëm, por që shumë pyetje politike mbeten pa përgjigje.
Poashtu ai tha se nevojiten ende takime shtesë për çështjen e dinarit.
“Unë mirëpres angazhimin e palëve për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për komunitetet e prekura nga rregullorja e fundit e BQK-së. Takimi i sotëm i Dialogut ishte një hap i parë i rëndësishëm, por shumë pyetje politike mbeten pa përgjigje. Do të nevojiten takime shtesë”, ka shkruar Lajçak në “X”.
Rregullorja e BQK-së është kritikuar edhe nga ShBA-ja të cilët vazhdimisht kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit, e madje një vendim i tillë ambasadori amerikan, Jeff Hovenier tha se ka ndikuar në partneritetin me Kosovën.
Në anën tjetër Banka Qendrore e Kosovës ka bërë të ditur se vendimi për rregulloren e re do të zbatohet përmes një faze tranzitore jo më të gjatë se tre muaj, duke përgatitur edhe një plan 10 pikësh./Reporteri.net/