Janë bërë gati një javë që kur ka filluar ushtrimi më i madh ndërkombëtar “Defender Europe 2025”, e cila është stërvitja më e madhe vjetore e ushtrisë amerikane. Në zemrën e Ballkanit, Kosova është shndërruar urë bashkëpunimi ushtarak.
Shemsi Syla, zëvendësministër në detyrë i Mbrojtjes, tha pjesëmarrja e Kosovës si nikoqire e ‘Defender Europe 2025’ është një ngjarje më e rëndësishme gjatë rrugëtimit të forcës sonë ushtarake, nga UÇK në TMK, pastaj në FSK, si dhe tani në ushtrinë e sotshme.
Ai tha se SHBA po zhvillojnë ushtrimin më të madh deri më sot në Evropë, i cili ka kapacitete të shumta të shteteve partnere edhe të NATO-s dhe jashtë saj të ngërthyera në një ngjarje tejet të rëndësishme.
“Fati ynë është se ne jemi pjesëmarrës dhe njëkohësisht nikoqir që do të thotë shumë, sepse është një besim që ne të jemi vend nikoqir, ku Shtabi i Divizionit 28 është i dislokuar në Kosovë”, tha Syla.
Ai theksoi se ky ushtrim ka një ndikim të jashtëzakonshëm edhe në ngritjen tonë morale dhe besueshmërinë që ka SHBA ndaj ushtrisë sonë dhe Kosovës.
Syla më tej shtoi se kjo do të ndikojë në ngritjen e vetëdijes sonë dhe të inkurajimit në ngritjen e kapaciteteve tona ushtarake.
Ai, më tej, vuri në dukje se më 2028 do të përfundojë marrëveshja e cila në fokus ka krijimin e ushtrisë së Kosovës.
Kadri Kastrati, njëri ndër ish-komandantët e UÇK-së, ish-komandanti i FSK-së, tha se “Defender Europe 2025”, është një ngjarje e jashtëzakonshme dhe është mesazh i qartë për Serbinë dhe Rusinë.
“Serbia çdo herë bën përpjekje për të destabilizuar rajonin dhe veriun e Kosovës. Ky ushtrim është besimi ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës. Deri këtu kemi ardhur me partnerët tanë, nuk shoh ndonjë problem në këtë ushtrim dhe forca jonë të bashkëveprojë në këtë ushtrim”, theksoi Kastrati në RTK, teksa shtoi se Kosova do të jetë fituese.
Ilir Qeriqi, shef i Stafit në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës, tha se ushtrimi ‘Defender Europe 2025’, po shkon sipas planifikimit dhe nuk ka asnjë problem.
Ai tha për se ky ushtrim do të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve të FSK-së. Qeriqi bëri me dije se FSK operon edhe në vende të tjera që janë në kuadër të ushtrimit.
“Motivi ushtarak është shumë i madh, ushtarët tanë kanë bërë trajnime në bazë të trajnimeve që janë me aleatët. Qëllimi është që të testohen kapacitetet dhe performanca e FSK-së dhe çdo gjë po shkon sipas planifikimit”, tha Qeriqi.
Ndryshe DEFENDER 25, është stërvitja më e madhe vjetore e Ushtrisë Amerikane, afërsisht 180 personel nga Divizioni i 28-të i Këmbësorisë i Gardës Kombëtare të Ushtrisë Amerikane të Pensilvanisë vendosen në Kosovë për të marrë pjesë në Reagimin e Menjëhershëm 25 së bashku me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
I planifikuar nga 26 maji deri më 9 qershor, Reagimi i Menjëhershëm 25 është një nga tre ngjarjet kryesore të trajnimit DEFENDER 25 dhe përfshin më shumë se 12,000 trupa nga SHBA-ja, Aleatët dhe vendet partnere. Aktivitetet përfshijnë tetë vende: Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Kroaci, Greqi, Mal të Zi, Maqedoni e Veriut dhe Sllovaki.
Në Kosovë, Divizioni i 28-të i Këmbësorisë dhe FSK do të marrin pjesë në Reagimin e Menjëhershëm 25 si një seli divizioni që mbikëqyr një brigadë shumëkombëshe. Ushtarë nga Divizioni i 28-të i Këmbësorisë, së bashku me anëtarë të Gardës Kombëtare të Ushtrisë së Ajovës dhe FSK-së, do të marrin pjesë gjithashtu në një stërvitje kombëtare në Zonën e Trajnimit Babaj Bokes (BBTA) më 3 qershor”.