Një ekspozitë për të rikujtuar plagën e hapur që Kosova ka nga lufta e fundit është vendosur në Sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë.
Artisti, Eroll Murati ekspozitën e tij të radhës “Më gjeni” me moton “ Dikush është ende duke i pritur te dera qe 20 vite” vendosi të ua kushtojë të pagjeturve të luftës.
Kalimtarët e rastit në një prej shesheve kryesore në kryeqytet u ndalën për të parë dhe fotografuar skulpturat që ngërthejnë në vete shumë dhimbje e histori.
Në një intervistë për Telegrafin, Murati u shpreh se vendosi që këtë ekspozitë të ia kushtojë të zhdukurve të luftës, sepse sipas tij duhet bërë sa më shumë që të jetë e mundur për të hulumtuar rreth kësaj teme.
Skulpturat e vendosura në shesh ai thotë se është munduar që përmes dy personazhe imagjinare që po kërkojnë ndihmë, të zgjojë vëmendjen për këtë temë të ndjeshme për popullin tonë.
“Tema është shumë e ndjeshme, është për të zhdukurit e luftës, kam marr dy personazhe që janë paraqitur si të zhdukur që njëkohësisht nuk i njoh as unë, as askush, vetëm kanë dalë për ndihmë dhe për këtë arsye ja kam vendosur emrin “Më gjeni”. Profesori, Zeni Ballazhi e ka shkruar tekstin për këtë ekspozitë dhe moton që e kam vendosur unë “Dikush është ende duke i pritur te dera që 20 vite”, është po ashtu e ndjeshme, kjo temë duhet të jetë mjaft aktuale dhe kisha bërë thirrje te artistët, institucionet dhe çdo organizatë, çdo shoqatë që merret me këtë dukuri që të hulumtoi më shumë për të pagjeturit e luftës”, është shprehur Murati.
/Telegrafi/