Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, ka folur në një intervistë për Agenzia Nova, rreth menaxhimit të pandemisë, teksa shtoi se duhet të insistohet për rritjen e vaksinimeve.
“Edhe Kosova duket se e ka menaxhuar përhapjen e pandemisë COVID-19 më mirë se vendet e tjera të rajonit, edhe pse duhet të vazhdojmë të insistojmë në vaksinime duke qenë se deri më 4 dhjetor, 42.7 për qind e qytetarëve janë vaksinuar me dozën e dytë”, ka thënë De Riu.
Pandemia pati ndikim edhe në marrëdhëniet tregtare dypalëshe ndërmjet Italisë dhe Kosovës, të cilat, sipas ambasadorit, mbeten “në përgjithësi pozitive”.
“Sipas të dhënave të përkohshme të Istat-it – vëzhgoi De Riu –, në gjysmën e parë të vitit 2021, tregtia ndërmjet Italisë dhe Kosovës ishte e barabartë me 100 milionë euro, një rritje prej 106 për qind krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2020”.
“Sigurisht, ai ekonomik është sektori ku bashkëpunimi ynë shënon perspektivat më interesante të rritjes. Dhe nuk e kam fjalën vetëm për rritjen e eksporteve dhe importeve të mallrave, por edhe për mundësinë që investitorët italianë të fokusohen në tregun kosovar, i cili paraqet komplementaritete interesante me ekonominë tonë: po mendoj për taksimin e favorshëm, koston relativisht të ulët të punës, në prani të punëtorëve të rinj dhe të kualifikuar”.